Prishtinë, 06.02.2024

Më 5 shkurt 2024, në Bibliotekën e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, për të shënuar më ndryshe këtë vit, 1 shkurtin Ditën Ndërkombëtare të Hixhabit, muajin kundër diskriminimit ndaj grave besimtare që bartin shami,  u mbajtë një panel diskutimi me gratë aktive në jetën publike, akademike dhe fetare të Kosovës. 

Për të hedhur dritë mbi padrejtësitë historike me të cilat janë ballafaquar gratë e Kosovës, dhe për të mësuar për sakrificat, fuqinë intelektuale dhe shpirtërore të grave heroina, në panel diskutuan: 

Panelistet:

1. Dr. Sabile Keçmezi Basha  – akademike, historiane dhe poete, ‘Kontributi i grave në çështjen kombëtare’.

2. Dr. Flora Brovina  –  mjeke, politikane dhe poete , ‘Krijimtaria letrare e grave gjatë okupimit serb’

3. Dr. Ilmije Kuqi – Profesoreshë e jurisprudencës islame në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë,

 ‘ Besimi si burim i fuqisë në tejkalimin e padrejtësive historike ‘.

Panelistet dhe musafiret u pritën nga dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. asoc. dr. Islam Hasani.

Diskutimin e moderoi znj. Besa Ismaili, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame, Prishtinë.

Panelistët vunë theksin në rëndësinë e njohjes së padrejtësive historike përballë grave, duke analizuar sakrificat dhe kontributet sublime të personaliteteve të njohura të grave shqiptare.  Studimet e panelisteve sollën para pjesëmarrëseve rëndësinë e ndërsektorialitetit, duke njohur faktin se përvojat e grave ndryshojnë mbi bazën e përkatësisë sociale, statusit socio-ekonomik dhe identiteteve të tjera bazike dhe tërthore.

Të kuptuarit e ketyre kompleksiteteve është i domosdoshëm për të ardhur tek zgjidhja dhe drejtësia e synuar për gratë, që njehë dhe feston kontributin e tyre, si dhe eliminon pabarazitë dhe padrejtësitë.

Ato bënë thirrje për reforma arsimore të përgjithshme që promovojnë një mjedis që i vlerëson kontributet e grave në fusha të ndryshme. Fuqizimi përmes arsimit u pa si një katalizator për ndryshime shoqërore. Gjatë diskutimeve u kritikua pandëshkueshmëria e padrejtësive historike duke vënë  në dukje rëndësinë e llogaridhënies dhe përgjegjësisë para drejtësisë  për të gjitha krimet.

Fuqizimi ekonomik si një pjesë integrale e adresimit të pradrejtësive historike, u trajtua edhe gjatë diskutimit për të drejtën trashëgimore dhe pronësore të grave, si një nga fushat ku diskriminimi ndaj grave vazhdon aktualisht.

Bazuar në diskutimet e frytshme, u propozuan rekomandime që ndërlidhen me njohjen e drejtë të rrethanave historike dhe dokumentimi i përvojave të grave përgjatë historisë, njohja e kontributit dhe krijimtarisë së grave, zbatimi i programeve edukuese që sfidojnë stereotipe gjinore dhe promovojnë arritjet e grave në fusha të ndryshime, si dhe bashkëpunimi dhe mbështetja e grave për njëra tjetrën.

Ishte pajtim i përgjithshëm që të vazhdohet me këto diskutime, të thellohen bashkëpunimet mes institucioneve për të arritur korrigjimet e padrejtësive dhe ndryshimet e qëndrueshme për shoqërinë.

Fuqia shpirtërore e grave ka sjellë liri për popullin dhe  disfatë fuqive të mëdha represive dhe kolonizatore. Mbetet frymëzim i pashterrshëm udhërrëfyes për gjeneratat e reja.