Dje, më 17 dhjetor 2015, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë organizoi Konferencën me titull: “Dorëshkrimet dhe veprat e botuara në periudhën osmane (në Bibliotekën e FSI-së)”.
Konferenca u mbajt në sallën e konferencave në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Pjesëmarrësit fillimisht vizituan për sëafërmi dorëshkrimet e ekspozuara nëbibliotekën e FSI-së, të cilat kanë një vlerëtëmadhe fetare e kulturore.
Hapja e Konferencës u bë me lexim të Kuranit nga studenti i FSI-së Kreshnik Abdullahu.
Në vazhdim dekani i FSI-së, Prof. Asoc. Dr. Fahrush Rexhepi, mbajti fjalën e hapjes së Konferencës, i cili fillimisht i falenderoi pjesmarrësit, duke filluar nga myftiu i Kosovës mr. Naim ef. Tërnava, përfaqësuesit e Institutit Albanologjik, të qendrës Yunus Emre, anëtarëve të këshillave të BIK-ut, si dhe të gjithë profesorët, studentët dhe pjesmarrësit tjerë, e posaqërisht i falenderoi panelistët dhe ata që kishin kontribuar në mbledhjen e këtyre dorëshkrimeve, dhe prezantimin e tyre, duke i vlerësuar lart ato si një thesar i çmuar për Bashkësinë Islame, Fakultetin e Studimeve Islame si dhe për tërë Kosovën.
Në vazhdim fjala iu dha myftiut Naim ef.Tërnava, i cili poashtu falenderoi Dekanin dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për mbledhjen e këtyre dorëshkrimeve po ashtu edhe ata që i kanë ruajtur këto dorëshkrime, dhe gjithashtu i nxiti studiuesit e rinj si dhe studentët e FSI-së që të merren me këto dorëshkrime duke bërë zbardhjen e përmbajtes së tyre, dhe i siguroi të pranishmit se BIK-u do të ndihmojë në çdo hap që marrin për analizimin më të thellë të tyre, dhe se BIK-u do t’i botojë ato.
Fjala përshëndetëse iu dha edhe mysafirit nga Jordania, prof. Dr. Muhamed ed-Durubi, pro-rektor i Universitetit “Al-Bejt” të Jordanisë, i cili përshëndeti dhe falenderoi Myftiun dhe Dekanin, si dhe gjithë të pranishmit, si dhe i informoi ata se Jordania mbledh dorëshkrime islame në të gjithë botën duke përmendur projektin e tyre për mbledhjen dhe botimin e dorëshkrimeve në të gjitha fushat.
Më pastaj konferenca vazhdoi me tri kumtesat e tre panelistëve të cilët kishin bërë një punë të jashtëzakonshme duke i prezantuar ato dorëshkrime.
Kumtesa e parë ishte nga Dr. Nehat Krasniqi, i cili foli për temën “Gjendja e koleksioneve të dorëshkrimeve islame (arabike) në Kosovë dhe sfidat bashkëkohore të trajtimit të tyre”
Ai ndër tjera tha: Trashëgimia dorëshkrimore me alfabet arab, e krijuar, e prurë, e përdorur dhe e koleksionuar në trojet shqiptare, gjatë periudhës osmane, paraqet një thesar kulturor historik, të paçmueshëm. Trashëgimia kulturore shqiptare, e shkruar dhe e koleksionuar në bibliotekat e periudhës osmane, deri kah mesi i shek. XVII, ka ardhur në gjuhën osmane, perse dhe arabe, me alfabetin arabo-osman. Ai vazhdoi tutje duke i bërë me dije të pranishmit se ka dorëshkrime edhe në gjuhën boshnjake dhe shqipe me alfabet arab.Dhe në fund porositi që të digjitalizohen të gjitha këto dorëshkrime, në mënyrë që të ruhen dhe të kenë qasje në to të gjithë të interesuarit.
Kumtesa e dytë ishte nga Dr. Sadik Mehmeti i cili foli për temën “Koleksioni i dorëshkrimeve të proveniencës islame orientale në arkivin e Kosovës” .
Ai ndër tjera tha: Natyrisht, në të kaluarën numri i këtyre dorëshkrimeve ishte dukshëm më i madh, por për shkak të kohëve të vështira nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, një numër i madh i tyre u dogjën, u zhdukën apo u humbën gjurmët.
Ndër institucionet tona që ruajnë dorëshkrime të tilla, sikurse u tha, është edhe Arkivi i Kosovës, i cili ka një koleksion të dorëshkrimeve islame-orientale në formën e veprave të plota të pabotuara, me gjuhë bazë arabishten, turqishten, persishten dhe gjuhën shqipe, me grafi arabe dhe të cilat përbëjnë një koleksion antikuar, sepse, përveç të tjerash, tri prej tyre janë dorëshkrime unikale dhe pasurojnë listën botërore të dorëshkrimeve orientale, madje njëri është autograf.
Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve islame-orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse ose në 100 vepra dorëshkrim.
Nga këto dorëshkrime, 74 janë arabisht, 20 turqisht, 2 persisht, 1 persisht – turqisht, 1 arabisht – turqisht, 1 arabisht – persisht dhe 1 në gjuhën shqipe me grafi arabe. Tri prej këtyre, siç u tha, janë unikate dhe datojnë: një nga vitit 1561 (“Sherh Rahati el-kulub”), një nga viti 1885 (“Ixhazetnameja nga medreseja e Vushtrrisë”) dhe një nga viti 1925 (“Risaleja e Haxhi Rrystem Shportës).
Kumtesa e tretë ishte nga Mahmud Arnauti i cili foli shkurtimisht për Dorëshkrimet dhe veprat e botuara në periudhën osmane (në bibliotekën e FSI-së, për të cilat më gjerësisht do të mund të lexojnë punimin e tij në numrin e ardhshëm të revistës shkencore Edukata Islame, si dhe në ndonjërën nga gazetat arabe.
Ai gjithashtu i falenderoi shumë Myfiun dhe Dekanin e FSI-së për përkrahjen e vazhdueshme në mbledhjene këtyre dorëshkrimeve, dhe tregoi për vlerën që kanë këto dorëshkrime, të cilat nuk i kanë asnjë prej shteteve fqinje e as vet arabët ose turqit. Poashtu i njoftoi të pranishmit se është duke përgatitur edhe indeksin e këtyre dorëshkrimeve me të gjitha të dhënat, si dhe kërkoi nga mysafiri Muhamed ed-Durubi që t’i përfshijnë këto dorëshkrime në dorëshkrimet islame në përbledhjen e tyre në Jordani.
Në fund të Konferencës u hapën dhe diskutime për dorëshkrimet dhe librat e botuara, dhe gjithashtu iu ndanë mirënjohje falenderimi nga FSI-ja për Myftiun Mr.Naim Ternava, Dr. Muhamed ed-Durubi, Hamdi Arselan, Mahmud Arnauti, Dr.Nehat Krasniqi, si dheDr.Sadik Mehmeti.
Dorëshkrimet arabe-islame në Kosovë-të rralla, të vjetra e të veçanta- janë një trashëgimi kulturore dhe një pasuri intelektuale, që e shënojnë kohën, vendin, ekzistencën e tyre në periudha të hershme. Dorëshkrimet arabe-islame janë përshkruar a kopjuar jo vetëm nga autorë të njohur arabë, turq, persianë, por edhe nga autorë vendas, shqiptarë. Dhe, të përshkruarit a të kopjuarit e këtyre dorëshkrimeve, interesimi për to, ruajtja e tyre me një fanatizëm dhe vetëdije të lartë, bartja e tyre nga brezi në brez është, pa dyshim, një nga kontributet e mëdha të popullit shqiptar. Një vlerë tjetër që do theksuar në këtë rast lidhur me dorëshkrimet e përfshira në këtë vëllim është dhe fakti se në mesin e tyre ka të tilla dorëshkrime të cilat datojnë që nga shekulli XIII-të.{gallery}konfshkrmosmane{/gallery}