Prof. Asoc. Dr. Ziber Lata
Biografi e shkurtër
Ziber Lata, i lindur më 16.07.1985 në Dibër të Maqedonisë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në shkollën Medresenë “Isa Beu” – Shkup. Në vitin 2003 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, ku diplomoi në kohë, në vitin 2007, me sukses të dalluar dhe me mesatare 9.9.
Pas qëndrimit një vit e gjysmë në Siri, në vitin 2009 filloi studimet e magjistraturës në Fakultetin e Gjuhëve dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, gjegjësisht në degën e Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku në vitin 2012 arriti ta mbrojë me sukses temën e magjistraturës me titull “Orientalizmat në leksikun e gjuhës shqipe, tek letërsia e bejtexhinjve”;
Në vitin 2013 i regjistroi studimet e ciklit të tretë, të doktoratës, në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodi”, Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski”, ku në dhjetor të 2016 arriti ta mbrojë disertacionin e doktoratës me sukses. Titulli i doktoratës është “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe – analizë gjuhësore”
Që nga viti 2008 është i angazhuar me status të rregullt në Fakultetin e Shkencave Islame. Në vitin 2013 zgjidhet si bashkëpunëtor i rregullt në lëndën e gjuhës arabe në Fakultetin e njëjtë.
Gjithashtu, nga viti 2012 dhe deri më sot është i angazhuar në cilësinë bashkëpunëtorit të jashtëm të gjuhës arabe edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, në programin studimor Filologji Orientale.
Ka qenë anëtar komisioni dhe mentor në shumë punime deridiplomike dhe në punime të magjistraturës.
Përveç përvojës në mësimdhënie dhe arsim, ai ka edhe një karrierë të bujshme shkencore. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca ndërkombëtare dhe tryeza të ndryshme shkencore. Ka shkruar nëpër revista vendore, regjionale dhe ndërkombëtare. Është autor i disa veprave, si “Monografi e përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe” (2017), “Përsiatje kuranore – surja Fatiha dhe dhjetë suret e fundit” (2018), “Përsiatje kuranore – surja Kehf, Banorët e Shpellës” etj. Gjithashtu është bashkautor i librit “Sintaksa e gjuhës arabe”. Krahas veprave autoriale, ka përkthyer një sërë veprash të sferave të ndryshme nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, si “Kelileja dhe Dimneja” e Abdullah bin Mukaffa, “Problemi i autokracisë dhe korrupsionit në historinë islame” e Abdulhamd Ebu Sulejman, “Filozofia e orientalizmit dhe ndikimi i saj në letërsinë bashkëkohore arabe” e Ahmed Smajloviçit, “Kjo është feja jonë” e Omer Abdulkafit, “Tetova kjo zonjë e bukur” (poezi), Nevvar Abdidi etj.
Krahas punimeve autoriale dhe përkthimeve ka redaktuar profesionalisht shumë libra shkollorë, universitarë dhe shumë vepra të tjera shkencore të përkthyera dhe autoriale.
Në vitin 2016 merr titullin docent në fushën e filologjisë, gjegjësisht në traduktologji dhe albanologji.
Në vitin 2022 merr titullin profesor inordinar në fushën e filologjisë, në nënfushën e përkthimologjisë dhe albanologjisë.