Prishtinë, 29 Maj 2024
Më datë 28.05.2024, studenti Sevdair Haxhiu mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “Kontributi i prijësve mysliman në rrjedhat politike shoqërore të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë 1912”,”, pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Komisioni ishte i përbërë nga:
1. Prof. dr. Ramiz Zekaj, kryetar
2. Prof. asoc. dr. Sadik Mehmeti, anëtar
3. Prof. dr. Fahrush Rexhepi, mentor
Fillimisht fjala iu dha kandidatit Sevdair Haxhiu, i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në pika të shkurtëra dhe koncize. Ai në punimin e tij kishte për qëllim njohjen me figurat kyçe të hoxhallarëve që dhanë kontribut për formimin e shtetit të parë shqiptar si dhe ndriçimin e fakteve mbi lëvizjet e para të parisë myslimane mbi çështjen nacionale shqiptare, duke përfshirë edhe kryengritjet e myslimanëve dhe parisë mbi të drejtat e popullit shqiptar.
Punimi ishte ndarë në 4 kapituj. Kapitulli i parë flet për kontributin e krerëve mysliman shqiptarë në lëvizjet e para nacionale shqiptare e në veçanti për personalitetin e muderris Haxhi Zekës. Në kapitullin e dytë flitet për rrethanat politiko-shoqërore dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Vazhdon në kapitullin e tretë me përmendjen e rolit dhe kontributit të prijësve fetarë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa, në kapitullin e fundit, flet për kontributin e periodikut shqiptar islam në ngritjen e vetëdijes fetare dhe kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni parashtroi disa pyetje për kandidatin si dhe u dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e bërë, dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.