Fakulteti i Studimeve Islame ka kënaqësinë të njoftojë se të shtunën, më 4 prill 2026, kanë filluar zyrtarisht ligjëratat e para për studimet e Doktoratës (PhD) për studentët e Fakultetit të Studimeve Islame, në bashkëpunim me CASIS, Raja Zarith Sofiah’s Center for Advanced Studies on Islam, Science and Civilization pranë Universitetit Teknologjik të Malajzisë (UTM).

Ky fillim shënon një hap të rëndësishëm në avancimin akademik të studentëve, dhe krijon një mundësi për thellimin e njohurive në fushën e studimeve islame, veçanërisht në ndërthurjen e Islamit me shkencën dhe qytetërimin bashkëkohor.

Ligjëratën e parë, e cila është mbajtur ditën e shtunë më 04.04.2026, e zhvilluan Prof. asoc.dr. Khalif Muammar A. Harris dhe Dr. Muhammad Ikhwan Azlan, në kuadër të lëndës Islamic Philosophy of Science and Technology. Ndërkaq, të dielën u mbajt ligjërata për lëndën Research Methodology, nga profesorët e nderuar Dr. Mohd Hilmi Ramli dhe Dr. Dayang Nurhazieqa Hamzani, të cilët prezantuan qasjet bashkëkohore të metodologjisë kërkimore në studimet islame.

Ligjëratat për këtë semestër do të zhvillohen në mënyrë online, duke mundësuar pjesëmarrjen aktive të studentëve në këtë program të përbashkët ndërkombëtar. Ndërsa në semestrin e ardhshëm, profesorët nga Universiteti Teknologjik i Malajzisë pritet të vijnë në Fakultetin e Studimeve Islame, ku ligjëratat do të zhvillohen me prezencë fizike.

Fakulteti i Studimeve Islame mbetet i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe në ngritjen e cilësisë akademike në studimet e avancuara.

Urojmë që kjo rrugë akademike për studentët e doktoratës të jetë e suksesshme dhe e mbushur me arritje të rëndësishme shkencore dhe profesionale.

Prishtinë,
6 prill 2026