Me datë 21.05.2026, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë organizoi ceremoninë e absolventiadës për gjeneratën e re të studentëve që kanë përmbyllur studimet universitare. Në këtë ngjarje festive, 25 absolventë shënuan një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre akademik.
Të pranishëm në ceremoni ishin drejtues të Fakultetit, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, profesorë, familjarë dhe mysafirë të shumtë, të cilët u bënë pjesë e kësaj dite të veçantë për studentët.
Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. dr. Islam Hasani, duke iu drejtuar absolventëve, vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e tyre gjatë viteve të studimit. Ai theksoi se misioni i Fakultetit nuk kufizohet vetëm në aspektin akademik, por synon edhe edukimin e brezave që do të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë me dije, etikë dhe përgjegjësi.
Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili përgëzoi studentët për suksesin e arritur dhe shprehu falënderim për stafin akademik që ka dhënë kontribut në formimin e tyre. Ai përmendi gjithashtu rolin dhe kontributin e ish-myftiut dr. Rexhep ef. Boja në themelimin dhe avancimin e Fakultetit të Studimeve Islame ndër vite.
Në emër të studentëve foli kryetarja e Unionit të Studentëve, Amira Osmani, e cila përshkroi emocionet e kësaj dite si një përzierje krenarie, kujtimesh dhe falënderimi për të gjithë ata që i mbështetën gjatë studimeve.
Programi u shoqërua edhe me pika artistike, përfshirë interpretime ilahish dhe poezi, të cilat i dhanë ceremonisë një atmosferë të veçantë.
Në përmbyllje të aktivitetit, absolventëve iu ndanë certifikatat, duke vulosur kështu përfundimin me sukses të etapës së tyre universitare në Fakultetin e Studimeve Islame.
Poashtu u ndanë edhe çertifikata për studentët e dalluar nga 3 vitet, viti i II-të, III-të dhe IV-të.
Fakulteti i Studimeve Islame i uron të gjithë absolventët për suksesin e arritur dhe u dëshiron mbarësi në rrugëtimin e tyre të ardhshëm.























































































