Sot më datë 22.05.2025, në një atmosferë solemne, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë përcolli gjeneratën e 30-të të studentëve të diplomuar.
Ceremonia u mbajt në ambientet e fakultetit, ku morën pjesë përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, drejtues institucionalë, anëtarë të stafit akademik, studentë dhe familjarë.
Programi nisi me lexim të ajeteve nga Kurani Famëlartë, për të vazhduar me fjalën përshëndetëse nga dekanit i FSI-së, prof. asoc. Dr. Islam Hasani, i cili i uroi të diplomuarit për suksesin e arritur dhe i inkurajoi të jenë bartës të dijes dhe përgjegjësisë në shërbim të shoqërisë.
Në emër të Myftiut të Kosovës, z. Naim Tërnava, të pranishmit i përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, njëherit edhe zv. i myftiut, z. Ahmet Sadriu, i cili përgëzoi studentët për përfundimin e studimeve dhe i inkurajoi që të kontribuojnë me dije dhe përgjegjësi në të mirë të komunitetit dhe institucionit të Bashkësisë Islame.
Gjatë ceremonisë, u ndanë certifikata për studentët dhe mirënjohje për më të dalluarit e gjeneratës.
Ky organizim shënoi përfundimin e një cikli të rëndësishëm akademik dhe njëkohësisht konfirmon përkushtimin e FSI-së në formimin e kuadrove profesionale në fushën e teologjisë islame.
Prishtinë, 22.05.2025








































