Prishtinë, 19.12.2017

Me një ceremoni solemne, sot më datë 19.12.2017, Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës shënoi 25-vjetorin e themelimit. Ceremonia solemne me këtë rast u mbajt në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame, ku të pranishëm, përveç dekanatit, stafit akademik dhe studentëve të FSI-së, ishin edhe myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, Zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z. Heset Sahiti, Rektori i Kolegjit Fama z. Lulzim Tafa, Drejtoi i Institutit të Historisë, z. Sabit Syla, Drejtori i Institutit Albanologjik z. Hysen Matoshi, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, z. Fahredin Ebibi, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane pranë Universitetit “Beder” z. Rrahim Ombashi dhe shumë personalitete të jetës akademike, shkencore dhe politike.

 

Ky solemnitet u hap me leximin e një pjese të Kuranit nga studenti Fisnik Maloku. Në vazhdim programi vazhdoi me emetimin e një dokumentari për historikun, të arriturat dhe planet e FSI-së në të ardhmen. Më pastaj dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi dhe myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava mbajtën nga një fjalim para të pranishmëve. Më pastaj me nga një fjalë përshëndetëse të pranishmëve ju drejtuan edhe zv. Ministri i Arsimit, z. Heset Sahiti, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, Rektori i Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa, dhe Dekani i Fakultetit te Shkencave Humane pranë Universiteti “Beder”, z. Rrahim Ombashi.

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Fakultetit, studentët e këtij Fakultetit kishin përgatitur edhe dy pika artistike, ku me një monolog u paraqit studentja Sumeja Kqiku, ndërsa me një recitim studenti Dardan Latifaj.

Ky solemnitet u përmbyll me shpërndarjen e tetë mirënjohjeve nga ana e dekanatit të FSI-së. Një mirënjohje u nda për Kryesinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës për përkrahje të vazhdueshme dhënë ngritjes së kapaciteteve akademike të FSI-së. Një mirënjohje u nda për dëshmorin e lirisë, ish-studentin e FSI-së, Fadil Rashitin për trimëri dhe sakrificë. Me nga një mirënjohje u dekoruan z. Jashar Jashari, prof. Resul Rexhepi dhe prof. Sabri Bajgora për kontributin e dhënë me rastin e themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame. Gjithashtu me nga një mirënjohje u dekoruan edhe tre studentë të diplomuar të FSI-së gjatë vitit akademik 2016/2017, Jetmira Vishasella, Artan Jashari dhe Sadije Dërguti, për suksesin e treguar gjatë studimeve.

Ndërsa nga ora 14.00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare Universitare “Pjetër Bogdani” u bë promovimi i Monografisë së Fakultetit të Studimeve Islame. Edhe në këtë promovim të pranishëm ishin shumë mysafirë si nga jeta akademike, shkencore dhe politike. Në këtë promovim të pranishmëve iu drejtua dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi dhe prof. asoc. dr. Sulejman Osmani në cilësinë e kryetarit të komisionit për përgatitjen e Monografisë së Fakultetit të Studimeve Islame.{gallery}25vjetori{/gallery}