Sot, më datë 04.04.2024, studenti Sami Rashiti mbrojti temën e diplomës të nivelit master me titull “Studime për Suren Jasin në gjuhën shqipe”, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Komisioni:
1. Prof. ass. dr. Musa Vila, kryetar
2. Prof. ass. dr. Zija Abdullahu, anëtar
3. Prof. ass. dr. Lulzim Esati, mentor
Fillimisht fjala iu dha kandidatit Sami Rashiti, i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në mënyrë mjaftë koncize. Ai në punimin e tij kishte për qëllim studimin e sures Jasin në gjuhën shqipe, të flitet për përkthimet e kësaj sureje, të studiohet tematika e kësaj sureje dhe të krahasohen përkthimet e saj në gjuhën shqipe.
Punimi ishte ndarë në 4 kapituj. Kapitulli i parë flet për suren Jasin, ndarjen e saj, hadithet për vlerën e saj dhe përkthimet e saj në gjuhën shqipe. Në kapitullin e dytë flitet për suren Jasin në gjuhën shqipe, për studimet e përkthimeve të sures Jasin në gjuhën shqipe dhe paraqitet tabela e tri përkthimeve kryesore. Ndërsa në kapitullin e tretë, është shkruar për suren Jasin tek shqiptarët, duke përmendur leximin dhe mësimin përmendësh të saj tek shqiptarët, ceremoninë përkujtuese për të vdekurit, dhe sureja Jasin si element arti e kulture. Dhe në kapitullin e fundit vazhdon me përmendjen e disa tematikave rreth sures Jasin, si pozita e kësaj sureje, thënie dhe komente të dijetarëve për dëgjimin dhe leximin e Kuranit, dhe po ashtu leximi i sures Jasin. Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni parashtroi disa pyetje për kandidatin si dhe u dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e kandidatit nga ana e komisionit, duke e çmuar mundin dhe punën e bërë, dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.