Organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame, Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame dhe Medreseja e Mesme ‘Alauddin’, sot, pas dy dite, përfunduan punimet e kësaj konference.
Përgjatë dy ditëve, studiuesit prezantuan punime që trajtuan zhvillimin e medreseve në trevat shqiptare dhe më gjerë, traditën e dijes, reformat në arsimin islam, si dhe rolin e këtyre institucioneve në edukimin e brezave dhe ruajtjen e identitetit fetar e kombëtar.
Referimet përfshinë edhe historikun e medreseve në treva të tjera shqiptare, teksa vëmendje iu kushtua edhe figurave të myderrizëve dhe dijetarëve shqiptarë, dokumenteve arkivore, traditës së ixhazës dhe rolit të vakëfeve në mbështetjen e arsimit islam.
Në fjalën e tij përmbyllëse, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, dr. Islam Hasani, në cilësinë e organizatorit të kësaj Konference tha se: “Studimet e prezantuara në Konferencë trajtuan medresenë si institucion të dijes, edukimit dhe formimit intelektual, duke ndriçuar rolin e saj në historinë fetare, arsimore, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. Të mbështetura në dokumente arkivore, vakëfname, ixhazetname, dorëshkrime, tekste mësimore dhe dëshmi institucionale, ato zgjeruan njohuritë mbi këtë trashëgimi dhe hapën perspektiva për kërkime të mëtejshme shkencore.”
Në seancën përmbyllëse, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, theksoi rëndësinë e studimit dhe dokumentimit të historisë së medreseve, si dhe ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm.
“Konferenca e mbajtur për dy ditë me radhë dëshmon se historia nuk është thjesht një rrëfim i së kaluarës, por një burim i pashtershëm mësimesh për atë që jemi dhe atë që synojmë të bëhemi. Ajo na mëson se një popull që njeh historinë e vet e kupton më mirë identitetin, që studion trashëgiminë e tij e mbron atë nga harresa, ndërsa duke vlerësuar dijen, ndërton themele më të qëndrueshme për të ardhmen”, tha Myftiu Tërnava.
Konferenca mblodhi përreth vetes rreth 60 studiues dhe referues, të cilët përmes kumtesave të tyre trajtuan periudha të ndryshme historike dhe dimensionet arsimore, fetare, kulturore e kombëtare të medreseve te shqiptarët.
Prishtinë, 29.10.2026












