Në vazhdën e aktiviteteve të dekanatit të FSI-së, më datë 22/23. 05. 2017, në FSI qëndroi prof. dr. Merdan Günes në cilësinë e “Visiting Professor”
Prishtinë, 24.05.2017
Prof. dr. Merdan Gunes, profesor pranë “Universitetit Osnabrück” në Gjermani, në cilësinë e “Visiting Professor”, gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në FSI (22 dhe 23 maj) mbajti disa ligjërata me studentët e Fakultetit të Studimeve Islame, në lëndën e Filozofisë dhe Misticizmit.
Atë e pritën dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi me bashkëpuntorë, duke e njoftuar më për së afërmi me rrjedhat e fakultetit, dhe kështu vazhdoi biseda në mes tyre, duke shkëmbyer ide dhe përvoja nga të dyja palët, për një bashkëpunim edhe më të afërt në mes dy institucioneve.
Prof. dr. Merdan Günes aktualisht është profesor i Misticizmit Islam, Filozofisë dhe Dogmatikës në “Universitetin Osnabrück”në Gjermani. Dr. Günes ka ligjëruar si profesor edhe në Universitetin “Istanbul Sehir”, në degën e Studimeve Islame, si dhe ka marrë pjesë disa herë si “Visiting Professor” në Universitetin ku tani ligjëron dhe në “Universitetin Gëte” në Frankfurt të Gjermanisë.
Fokusimi i profesorit gjatë ligjërimit ishte rreth tematikave që kanë të bëjnë me sistemin e edukimit në Gjermani, më konkretisht si ka ardhur deri te hapja e shkollave dhe universiteteve të ndryshme në Gjermani për studimin e Islamit dhe shkencave islame.
Ligjëratat e profesorit ngjallën kureshtje të madhe te studentët e FSI-së, edhe pse ishte një fushë pothuajse e njohur për studentët, mënyra e shpjegimit të profesorit dhe gjërat e reja që solli në ato tema ata i dëgjuan me mjaft entuziazëm, duke mësuar nga ato ligjërata vështirësitë që kanë hasur myslimanët nëpër Evropë për t’u shkolluar dhe për të hapur universitete dhe institute të ndryshme për studimin dhe mësimin e shkencave islame.
Njëra prej tipareve që duhet pajisur një mysliman i mirë është karakteri i mirë dhe sjellja e mirë, siç është hadithi i Pejgamberit a.s.: “Gjëja më e rëndë, e cila vihet në peshoren e një besimtari në ditën e ringjalljes, është karakteri i mirë.”
Ai më tutje vazhdoi duke shpjeguar se çfarë e përbën karakterin e mirë, duke shpjeguar secilën prej tyre, ku sipas Imam Gazaliut, karakteri i mirë përbëhet kryesisht nga 10 tipare: pendimi, frika dhe shpresa, asketizmi, durimi, falenderimi-mirënjohja, sinqeriteti, mbështetja në Zotin, dashuria, kënaqësia dhe kujtimi i vdekjes.
Ligjëratat e tij i përfundoi duke thirrur në kuptim të drejtë të Islamit, bazuar në Kuran dhe sunet si dhe në logjikë-arsye, duke i kuptuar dhe duke i vepruar ato që i besojmë, dhe duke u sjellë me një sjellje të mirë dhe me një karakter të mirë me të gjithë njerëzit pa dallim dhe duke besuar e dashur me zemër dhe sinqeritet të plotë.{gallery}gunes{/gallery}