Më datë 27 dhe 28 nëntor 2025, dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Islam Hasani së bëshku me sekretarin e Fakultetit, mr. Vedat Shabani realizuan një vizitë zyrtare në “Fakultetin e Ilahijatit të Universitetit të Ankarasë” dhe në “Institutin e Mendimit Islam – Islȃm Duşunce Enstitusu” me seli në Ankara.
Më 27 nëntor delegacioni i FSI-së vizitoi Fakultetin e Ilahijatit ku u prit nga dekani i këtij Fakultetit, prof. dr. Irfan AYCAN dhe shefat e departamenteve, prof. dr. Şaban ALI DÜZGÜN dhe prof. dr. Tuba OZOGLU.
Gjatë kësaj vizite u shqyrtua mundësia e bashkëpunimit akademik, ku u përfshinë diskutime mbi programet e studimeve të cilat ofrojnë dy institucionet, mundësinë e shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe projekte kërkimore të cilat mund të realizohen në mënyrë të përbashkët. Në këtë takim u diskutua mundësia për të zhvilluar iniciativa që do të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve akademike mes dy institucioneve. Veçmas u bisedua për mundësinë e mobilitetit të studentëve të FSI-së përmes Erasmus + në Programin e Studimeve Islame të cilin Fakulteti i Ilahijatit e ofron në gjuhën angleze.
Kjo vizitë mund të shërbejë si hap i rëndësishëm për të ndërtuar një partneritet të shëndosh dhe të qëndrueshëm në fushën e Studimeve Islame dhe atë të edukimit në përgjithësi.
Ndërsa, më 28 nëntor, delegacioni i FSI-së realizoi një vizitë në “Institutin e Mendimit Islam – Islȃm Duşunce Enstitusu”, ku u mirëprit nga Drejtori i Institutit, prof. Dr. Mehmet Gyrmez dhe sekretari, dr. Jusuf Kureshij.
Në kuadër të vizitës ishte e paraparë mbajtja e një ligjëratë para studentëve të nivelit MA dhe PhD të cilët vinin nga vende të ndryshme të botës. Ligjërata kishte në fokus historikun e Arsimit Islam në Kosovë në periudha të ndryshme, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Më pas takimi vazhdoi në kabinetin e Drejtorit, prof. Dr. Mhemet Gyrmez i cili theksoi se ishte shumë i lumtur për këtë vizitë. Vlenë të theksohet se vitin e kaluar FSI ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Institutin e lartpërmendur dhe kjo vizitë u realizua në kuadër të atij memorandumi.
Gjatë takimi, dekani i FSI-së, prof. Asoc. Dr. Islam Hasani e falënderoi nikoqirin për mikpritjen dhe në pika të shkurtëra e informoi për programet studimore të cilat FSI ofron për studentët, me theks të veçantë për programin e nivelit PhD në bashkëpunim me Universitetit UTM të Malejzisë. Gjithashtu edhe drejtori Gyrmez gjatë këtij takimi u fokusua në historikun dhe kontributin të cilin është duke e dhënë institutit në fushën e arsimimit. Gjithashtu u bisedua edhe për mundësinë e realizimit të mobilitetit të stafit akademik dhe organizimit të ndonjë konference shkencore me karakter ndërkombëtar.
Ankara, 29.11.2025









