Pas interesimit të shumë kandidatëve rreth kohës së shpalljes së konkursit për pranimin e kandidatëve të rinj për vitin akademik 2021/22, ju bëjmë me dije se konkursi do të shpallet më datë 06.09.2021.
Vlenë të përmendet se këtë vit akademik, të interesuarit për të studiuar në FSI kanë edhe një alternativë më shumë. Këtë vit, përveç programit studimor “Teologji Islame” të nivelit BA, konkursi do të hapet edhe për programin e nivelit BA “Pedagogji e Edukimit Islam”.
Programi “Pedagogji e Edukimit Islam” është i krahasueshëm me programet e studimit të universiteteve evropiane dhe në linjë me standardet evropiane, specifikisht me Universitetin e Vjenës, Institutin e Pedagogjisë Islame të Insbrukut (Austri), Universitetin e Osnabrukut-Departamentin e Pedagogjisë Islame (Gjermani), Departamentin e Pedagogjisë Islame pranë Universitetit të Sarajevës, dhe Drejtimin e Pedagogjisë pranë Universitetit Hasan Prishtina, etj.
Pasi që ky program është i vetmi program në Kosovë që ofrohet për edukimin e pedagogëve që kanë të bëjnë me fushën e pedagogjisë islame, rrjedhimisht do të jetë program shumë atraktiv dhe i nevojshëm për kandidatët që synojnë të kenë përgatitje adekuate në fushën e pedagogjisë dhe edukimit islam.
Andaj ky program i studimit tenton ta mbulojë hendekun dhe nevojën e tregut për këtë fushë të studimit dhe të nxjerr kuadro profesional dhe bashkëkohor të fushës së pedagogjisë islame.
Dekanati i FSI-së ju mirëpret që të aplikoni në dy drejtimet e ofruara për studim të nivelit BA.
Prishtinë,
31.08.2021