Programi Master,Teologji Islame në kontekstin europian, në Fakultetin e Studimeve Islame synon të forcojë dhe thellojë formimin akademik dhe kërkimor të studentëve, duke ofruar një qasje më të avancuar në analizimin e teksteve islame, traditës intelektuale islame dhe sfidave bashkëkohore në shoqërinë kosovare dhe më gjerë. Perspektiva e programit përqendrohet në zhvillimin e një profili të qartë akademik dhe kërkimor, që përgatit studiues, mësimdhënës, udhëheqës fetarë dhe profesionistë të fushave të ndërvarura me kompetenca të avancuara metodologjike, teorike dhe praktike.

Në vitet e ardhshme, programi synon të rrisë cilësinë akademike përmes rishikimit të kurrikulës, integrimit të metodave të avancuara të hulumtimit dhe zgjerimit të moduleve që fokusohen në studimet bashkëkohore islame, etikën, mendimin filozofik islam, si dhe dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor. Përmes këtyre përmirësimeve, programi synon të krijojë një mjedis studimor që stimulon mendimin kritik, argumentimin akademik dhe aftësinë për të kryer kërkim shkencor të pavarur.

Një aspekt qendror i perspektivës së programit është forcimi i kapaciteteve kërkimore të studentëve përmes angazhimit të tyre në projekte kërkimore të fakultetit, pjesëmarrjes në konferenca akademike dhe publikimeve në revista shkencore. Fakulteti planifikon të zgjerojë hapësirat kërkimore, të forcojë laboratorët e studimeve të teksteve, si dhe të rrisë bashkëpunimin me institute të kërkimit brenda dhe jashtë vendit. Kjo synon të krijojë një kulturë akademike dinamike dhe të qëndrueshme brenda programit.

Programi Master do të vazhdojë të orientohet drejt ndërkombëtarizimit përmes bashkëpunimeve me universitete të njohura në Evropë, Turqi dhe botën islame. Synimi është që studentëve t’u mundësohen mobilitete, qasje në literaturë ndërkombëtare, pjesëmarrje në projekte të përbashkëta dhe harmonizim i standardeve me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kjo perspektivë do të ndikojë në rritjen e konkurrueshmërisë së programit dhe të diplomuarve të tij në tregun akademik dhe profesional.

Në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, programi planifikon të mbështetet në vlerësimet e rregullta të studentëve, rekomandimet e ekspertëve të jashtëm, analizat e tregut të punës dhe konsultimet me bashkësinë islame, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile. Këto mekanizma ndihmojnë në orientimin e programit drejt nevojave reale të shoqërisë dhe në rritjen e relevancës së tij akademike dhe profesionale.

Në tërësi, perspektiva e programit Master në Studime Islame synon të konsolidojë rolin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë si një institucion i rëndësishëm kërkimor dhe akademik në vend dhe rajon. Programi do të vazhdojë të kontribuojë në formimin e studiuesve, ekspertëve dhe udhëheqësve me kapacitet të lartë profesional, etik dhe akademik, të aftë për të dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin fetar, kulturor, arsimor dhe shoqëror të Kosovës dhe më gjerë. Të diplomuarit e programit Master gëzojnë perspektiva të qëndrueshme punësimi në sektorë të ndryshëm publikë dhe privatë, duke reflektuar kërkesën në rritje për kuadro të kualifikuara fetare dhe akademike në Kosovë dhe rajon.
Të diplomuarit mund të angazhohen si mësimdhënës të edukimit fetar në shkollat publike dhe private, si imamë, hatibë, myderrizë dhe udhëheqës në institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe në organizata fetare, kulturore dhe humanitare. Programi u mundëson gjithashtu të diplomuarve të punojnë në administratë publike, në institute kërkimore, në qendra të dialogut ndërfetar, në media dhe platforma edukative që trajtojnë çështje fetare, etike dhe shoqërore. Përfitimi i kompetencave kërkimore dhe analitike gjatë studimeve Master rrit mundësinë për angazhim akademik, pjesëmarrje në projekte shkencore dhe vazhdim të studimeve doktorale, duke zgjeruar kështu gamën e mundësive profesionale dhe karrierës afatgjatë.