Dje, më datë 16 janar 2023, me fillim nga ora 14:00, në sallën e Konferencave, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë është mbajtur një program për vlerën dhe rëndësinë e gjuhës arabe, me moton “Arabishtja na bashkon – العربية تجمعنا”

Këtë program e hapi dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. asoc. dr. Islam Hasani, i cili në fjalën e tij hyrëse theksoi, ndër të tjera, se “arabishtja është gjuhë zyrtare në 26 shtete të botës. Atë e flasin mbi 400 milionë njerëz në mbarë botën dhe krahas kësaj, ajo konsiderohet gjuhë fetare për rreth dy miliardë muslimanë në botë që e përdorin atë në ritualet e tyre fetare”.

Më pas, fjalën e mori Jahja Hondozi, profesor i gjuhës arabe në Fakultetin e Studimeve Islame, i cili prezantoi para audiencës një temë me titullin: “Arabishtja – mision e vizion para se të jetë profesion (رسالة قبل التعليم)”. Prof. Hondozi theksoi se: “Është fakt i mirënjohur se arabishtja përbën bazën e domosdoshme dhe çelësin kryesor, fillimisht për kuptimin e dy burimeve kryesore të fesë islame: Kur’anin dhe sunetin që janë të pandryshuar në gjuhën arabe, e më pas edhe për kuptimin e mirëfilltë e të thelluar të të gjitha shkencave islame: tefsirin, hadithin, fikhun, usuli fikhun …, me nëndegët e tyre të shumta”.

Më pas, programin e pasuruan studentët e vitit të katërt të fakultetit të cilët prezantuan para të pranishmëve disa punime të vyera për të vënë në pah vlerën dhe peshën që e ka studimi i arabishtes për përgatitjen profesionale të kuadrit në FSI. Studentët, me llojllojshmërinë e temave të tyre, me këtë aktivitet synuan të përçojnë një mesazh për rëndësinë e madhe që duhet t’i kushtohet studimit të arabishtes. Ky program shënon një iniciativë të qëlluar, në radhë të parë, për vetëdijësimin e studentëve karshi vlerës dhe peshës që e ka mësimi i arabishtes në trojet tona.