seminariMë datë 09,10.03.2013 Unioni i studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame në përkrahje të menaxhmentit të Fakultetit të Studimeve Islame, Kryesisë së BIK-ut dhe Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë mbajtën seminarin me titull: “Sfida rreth edukimit të përgjithshëm në shkollat kosovare”.

Seminari zhvilloi punimet në objektin e Fakultetit të Studimeve Islame dhe atë të Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë.

Hapja e seminarit u bë më datë 09.03.2013 në orën 09.00 në sallën e konferencave në Fakultetin e Studimeve Islame. Të pranishëm ishin myftiu i Kosovës mr. Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtor, dekani i FSI-së prof. dr. Qazim Qazimi me stafin e tij, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Drenasit z. Arsim Mehmeti, dhe disa personalitete tjera.

{jathumbnail}Hapja e seminarit filloi me leximin e disa ajeteve kur’anore nga nxënësi i Medresesë së Mesme “Alauddin” z. Egzon Ibrahimi. 

Hapjen solemne të seminarit e bëri dekani i FSI-së prof. dr. Qazim Qazimi i cili fillimisht i përshëndeti të pranishmit duke ju uruar mirëseardhje. Ai ndër të tjera foli edhe për rëndësinë e dijes dhe shkencës të cilën e ka ajo në kuadër të fesë Islame. Më pastaj fjala iu dha ideatorit të këtij projekti, studentit të FSI-së z. Faruk Hoxha i cili në pika të shkurtra foli rreth këtij projekti.

Në fund fjala iu dha myftiut të Kosovës mr. Naim ef. Tërnava i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe i inkurajoi studentët e FSI-së që të vazhdojnë edhe më tutje me projektet të tilla duke theksuar se asnjëherë nuk do të mungoj përkrahja e BIK-ut ndaj aktiviteteve të tilla.

Qëllimi i këtij seminari ishte që të bënte një studim rreth rëndësisë së lëndës fetare në shkollat e Kosovës, të përhap këtë ide te nxënësit, dhe të shkëmbehen mendime me qëllim të përfitimit të ndonjë ideje nga ana e tyre, t’i informoj ata rreth rëndësisë së lëndës fetare në shkollat publike dhe të përfitojnë perceptime të drejta rreth kësaj kërkese.

Për realizimin e këtij projekti studentët kishin formuar dy ekipe-grupe; ekipi-grupi i parë ishte emëruar: “Ekipi veprues” i përbërë nga këta studentë: Faruk Hoxha, Ukë Rexhepi, Burim Kërqeli, Valmire Batatina, Hava Kukiqi, Bardha Kqiku, Merita Boroci, Saranda Muharemi dhe Gentian Jetishi. Ndërsa ekipi-grupi i dytë ishte emëruar: “Ekipi ndihmës” i përbërë nga këta studentë: Vlora Avdiu, Desara Vathaj, Nehat Bajrami, Mevludin Xhelili, Ilir Maliqi dhe Mubekir Shaqiri.

Në këtë projekt janë përfshirë disa komuna të Kosovës, siç janë: Prishtina, Podujeva, Prizreni, Mitrovica, Drenasi, Ferizaj, Gjilani dhe Vushtrria. Komuna e Prishtinës ishte e përfshirë me dhjetë nxënës, Prizreni me tetë nxënës ndërsa komunat tjera me ka gjashtë nxënës. Grupmoshat e përfshira në këtë projekt ishin maturantët e shkollave të mesme.

Ky projekt kishte këtë përmbajtje:

1.Ligjërata me panelistë të ndryshëm

2.Diskutime 

3.Workshop-e

4.Rekreacion, dhe

5.Analiza (konkluzione).

Ligjërata e parë me titull: “Arsimi dhe sfidat e tij” u mbajt nga panelistët: 1. z. Arsim Mehmeti (Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit), 2. Prof. ass. dr. Zija Abdullahu (profesor në FSI), dhe 3. znj. Mejreme Gashi (sociologe). Pas përfundimit të ligjëratës nxënësit e pranishëm ju parashtruan disa pyetje panelistëve. Pas ligjëratës filloi punimet “workshopi” i parë ku nxënësit ishin ndarë në grupe dhe secili grup kishte për detyrë të paraqiste nga dhjetë sfida apo probleme me të cilat ballafaqohen shkollat e Kosovës.

Ligjërata e dytë me titull: “Besimi si alternativë zgjidhjeje” u mbajt nga panelistët: 1. z. Muharrem Tërnava (profesor në M.M. “Alauddin”), 2. z. Gentian Jetishi (Profesor i shkollës fillore në Ferizaj), dhe 3. znj. Gyltene Dërguti (psikologe). Pas ligjëratës filloi punimet “workshopi” i dytë në të cilin ishin analizuar problemet e paraqitura në workshopin e parë nga këndi i besimit, se a mund apo jo të zgjidhen ato me anë të besimit, ku secili nxënës kishte paraqitur mendimin e vet lidhur me këtë.

Ligjërata e tretë me titull: “Ligjshmëria-mundësia e aplikimit të lëndës fetare” u mbajt nga panelistët: 1. Dr. Fahrush Rexhepi (përfaqësues i BIK-ut), 2. Mr. Ragmi Destani (mësimdhënës i lëndës fetare në Preshevë), dhe 3. Jeton Svirca (deputet i Kuvendit të Kosovës). Pas ligjëratës filloi punimet “workshopi” i tretë ku u diskutua mundësia e aplikimit të lëndës fetare në media, xhami apo shkolla dhe çfarë përgatitjesh duhet të kenë arsimtarët të cilët do ta japin këtë lëndë, teologë, psikologë apo sociologë? Mendimi i nxënësve ishte se ata të cilët mund apo duhet ta ligjërojnë këtë lëndë duhet të jenë teologët.

Krejt në fund të programit nxënësit pjesëmarrës u pajisën me nga një certifikatë të lëshuar nga Fakulteti i Studimeve Islame të Prishtinës.

Përgatiti:

Vedat Shabani, sekretar i FSI-së