Prishtinë, 09.12.2016
Fakulteti i Studimeve Islame nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushat akademike me Fakultetin e Shkencave Islame pranë Universitetit “Fatih Sultan Mehmet” me seli në Stamboll.
Me ftesë të dekanit të FSI-së prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame pranë Universitetit Vakufnor “Fatih Sultan Mehmet” me seli në Stamboll, prof. dr. Ahmet Turan ARSLAN, po qëndron në një vizitë dy ditore në Kosovë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame pranë Universitetit Vakufnor “Fatih Sultan Mehmet” prof. dr. Ahmet Turan ARSLAN, nën shoqërimin e dekanit dhe sekretarit të FSI-së vizituan myftiun e Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava. Pas vizitës në selinë e BIRK-ut mysafiri u prit në zyrën e dekanit të FSI-së, prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi.

Me këtë rast dekani Rexhepi e informoi mysafirin me historikun e FSI-së, që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Dekani gjithashtu e informoi edhe me sfidat me të cilat është ballafaquar FSI si dhe me rezultatet dhe sukseset që ka arritur gjatë transformimit dhe zhvillimit të reformave në FSI.
Pas një bisede miqësore dhe shkëmbimit të informatave rreth institucioneve arsimore të dy vendeve, dy dekanët arritën ujdinë e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim mësimor-shkencor dhe hulumtime shkencore në mes Universitetit Vakufnor Fatih Sultan Mehmet të Turqis dhe Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Ndër pika e marrëveshjes janë edhe: vizitat e ndërsjellta mes profesorëve, vizita të ndërsjellta mes studentëve, bashkëpunim në fushën e hulumtimeve shkencore, bashkëpunimi për organizimin e konferencave, simpoziumeve, seminareve dhe aktivitete tjera shkencore, zhvillimin e planeve akademike dhe kurrikulit të lëndëve etj.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dekani prof. dr. Ahmet Turan ARSLAN, mbajti një ligjëratë para studentëve të FSI-së, përmes të cilës këshilloi studentët e Fakultetit që të jenë sa më vigjilent, ta shfrytëzojnë kohën e tyre për mësim dhe studim dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë të Islamit dhe vendit të tyre.
{gallery}turanarsllan{/gallery}
Zyra për informim, FSI