Prishtinë, 25.10.2023

Në vazhdën e aktiviteteve të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, më datë 24.10.2023 në FSI ishin për vizitë profesoreshat: prof.dr.Katja Baur nga Universiteti Ludwigsburg dhe prof.dr. Hildrun Kessler nga Universiteti i Berlinit, të cilat shoqëroheshin edhe nga 13 studentë të cilët vinin nga universitete të ndryshme të Gjermanisë.

Mysafirët fillimisht u pritën nga dekani, prof. asoc. dr. Islam Hasani me bashkëpuntorë. Fillimisht dekani i falënderoi mysafirët për realizimin e kësaj vizite duke e vlerësuar si një vizitë mjaftë të dobishme, e cila po e thellon edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, veçmas në fushën e studimeve teologjike. Edhe mysafirët shprehën falënderime për mikëpritjen e organizuar nga FSI dhe në vazhdim të takimit çdo njëri prej tyre foli rreth përshtypjeve për Kosovën dhe për fakultetin në veçanti, si dhe u bisedua për vazhdimësinë e bashkëpunimit edhe më tutje.

Pas takimit me dekanatin e Fakultetit, u vazhdua me ligjërata dhe aktivitete me studentët, ku prof.dr.Baur dhe prof.dr. Hasani, folën për temën ‘Ndërtimi i paqes, edukimi fetar dhe roli i fesë’, duke bërë dhe aktivitete me studentët të ndarë paraprakisht në grupe.

Më pas si vazhdim i aktiviteteve të përbashkëta pasoi dhe vizita e përbashkët tek organizata jo-qeveritare Lady, ku musafirët dhe studentët tanë u pritën nga znj. Sanija Murati.