08.06.2021, Prishtine

 

Fakulteti i Studimeve Islame merr pjesë në Festivalin Multikulturor

Me datat 2, 3 dhe 4 Qershor 2021, organizata Zëri i Romve, Ashkalive dhe Egjiptianëve me përkrahje nga Ambasada e Zvicrës dhe ajo e Finlandës si dhe Këshilli Evropian, organizon edicionin e tretë të Festivalit Multikulturor, me temen “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”.

Festivali Multikulturor është një ngjarje që promovon identitetin dhe kulturën e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, po ashtu promovon rolin e grave në shoqëri dhe ofrimin e mundësive te barabarta.

Pjesë të këtij festivali ishin edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, si dhe zëvendskryeministra, drejtorë të agjensionit për barazi gjinore, drejtoresha të qendrave për barazi gjinore, përfaqësues të komunave dhe Ojq-ve të ndryshme, etj.

Tema me të cilën ka marrë pjesë koordinatorja për marrëdhënie me jashtë në FSI, mr.Muzaqete Kosumi si paneliste ka qenë: Privimi nga çasja në të drejtat: Patriarkati apo mos funksionimi institucional. Ku ajo ka folur rreth pozitës së gruas dhe të drejtat e saj në Islam, si dhe për ndalimin e dhunës ndaj saj, duke treguar se gruaja në Islam është e ngritur aq shumë sa që Pejgamberi a.s, ka thënë për të që xheneti është nën këmbët e nënës. Dy kaptina të Kuranit janë emërtuar në nderim të gruas, kaptina Nisa dhe kaptina Merjem.

 

Ajo, i përgëzoi për organizimin e këtij festivali si dhe për temën e zgjedhur, dhe tha që shoqëria jonë duhet të organizojë më shumë evente si ky “Festival Multikulturor”, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndër vete dhe ndër-institucional që bashkë të luftojmë dhunën dhe fenomenet diskriminuese të llojeve të ndryshme si racore, etnike, religjioze dhe gjinore.

Poashtu, i porositi të pranishmit me fjalët e Pjegamberit i cili u thoshte shokëve të tij:

“Të jeni të sjellshëm me gratë – ju keni të drejta mbi to dhe ato kanë të drejta mbi ju”.

“Trajtojini mirë gratë tuaja, jini të sjellshëm me to sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara”.

“Burrë i fortë nuk është ai që përdor forcën fizike, por ai që kontrollon zemërimin e tij”.

“Nuk i nderon gratë veçse një fisnik, dhe nuk i keqtrajton vetëm se një i ligë”