Prishtinë, 28.12.2022

Me një ceremoni solemne, më datë 27.12.2022, Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës shënoi 30 vjetorin e themelimit. Ceremonia solemne me këtë rast u mbajt në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame, ku të pranishëm, përveç dekanatit, stafit akademik dhe studentëve të FSI-së, ishin edhe myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, u.d. drejtori i Institutit të Historisë, znj. Teuta Shala-Peli, drejtori i Institutit Albanologjik z. Hysen Matoshi, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, z. Shaban Sulejmani, përfaqësuesi i Ambasadës Turke në Kosovë, dhe shumë personalitete të jetës akademike, shkencore dhe politike.

Ky solemnitet u hap me intonimin e himnit dhe lexim të Kuranit. Në vazhdim programi vazhdoi me fjalimin e dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Islam Hasani i cili pasi përshëndeti të pranishmit për prezencën e tyre në këtë solemnitet, ai ndër të tjera tha: “Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në të gjitha trojet shqiptare ku mësimi organizohet në gjuhën shqipe. Po ashtu, FSI është institucioni i parë i arsimit të lartë që themelohet jashtë ombrellës së Universitetit të Prishtinës. Koha dhe rrethanat në të cilat është themeluar FSI kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për popullin dhe vendin tonë e rrjedhimisht edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës. Në atëkohë, sikurse dihet, pas rënies së perdes së hekurt të komunizmit, në vend se të shijonim frytet e demokracisë, fatkeqësisht u përballëm me një riokupim klasik nga ana e Serbisë, e cila kishte nxjerrë nxënësit, studentët e pedagogët shqiptarë nga institucionet shkollore e universitare. Mirëpo, me gjithë dhunën dhe represion e pushtetit serb mbi shqiptarët e posaçërisht mbi arsimin shqip, populli ynë, institucionet tona nuk u dorëzuan para pushtuesit, ndaj dhe organizuan sistemin e pavarur të arsimit e edukimit shqip, duke vënë në dispozicion të kësaj kauze potencialin, moral, intelektual e materialë”. Më tutje, dekani Hasani duke folur për gjendje aktuale të FSI-së tha: “Ky përvjetori i 30-të, Fakultetin tonë e gjen me 567 të diplomuar në nivelin themelor, ndërsa një arritje tjetër e FSI-së, s’ka dyshim, se është organizimi i programit në nivelin master ne Shkencat Islame, ku gjithashtu janë shënuar arritje të lakmueshme dhe është bërë një punë e vyeshëm në këtë rrafsh, duke diplomuar 32 studentë. Natyrisht gjithë këto suksese, janë rezultat i angazhimit dhe punës së pamohueshme të paraardhësve tanë në krye të FSI-së, të cilët në bazë të kompetencave, kushteve e rrethanave, arritën që të përmbushin kërkesat e nevojshme për akreditimin e programeve të FSI si në nivelin themelor ashtu edhe në atë të masterit. Në këtë drejtim FSI ka pasur gjithnjë edhe ndihmën, përkrahjen dhe mirëkuptimin e Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve kompetente të saj, për se ne u jemi mirënjohës publikisht. Po ashtu një e arritur tjetër që duhet vënë në pah është edhe nxjerrja e revistës së Fakultetit “Buletinit” ku pedagogët e FSI-së botojnë kontributet e tyre nga fushat e shkencave e disiplinave fetare me kritere shkencore e akademike”.

Më pastaj me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve ju drejtuan edhe myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i cili ndër të tjera tha: “Tri dekada më parë, Bashkësia Islame e Kosovës, me themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame, në të vërtetë kurorëzoi përpjekjen e sakrificën e shumë brezave për të pasur një institucion të arsimit të lartë, ku do të studioheshin e mësoheshin shkencat islame në gjuhën shqipe, gjithnjë si përmbushje e mësimeve të Kuranit fisnik për dijen e për arsimin, si një zbatim i urdhrit kuranor, ngase vetë fjala Kuran do të thotë “Lexim”, por edhe ajeti – urdhri i parë që Zoti zgjodhi për t’iu drejtuar njerëzimit mbarë është: “Ikre-Lexo”, ndaj falënderojmë Allahun, i Cili na e mundësoi që të mësojmë, të lexojmë, e përmes leximit e studimit ta njohim Allahun Krijues, ta besojmë Atë dhe tërë atë që ka zbritur në Kuran! Ta njohim veten tonë, ta lexojmë historinë tonë e të punojmë për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë, por edhe të botës mbarë”.

Në këtë ceremoni prezente ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci e cila u paraqit në binë me një fjalë përshëndetëse, ku ndër të tjera tha: “Si institucion i pavarur në aspektin edukativo-arsimor, Fakulteti i Studimeve Islame përgatit kuadro akademike dhe shkencore, të cilët përbëjnë një bazë të shëndoshë për reforma të vazhdueshme në pasurimin e kurrikulave”.

Me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Fakultetit, studentët e këtij Fakultetit kishin përgatitur edhe dy pika artistike

Ky solemnitet u përmbyll me shpërndarjen e diplomave për studentët e nivelit MA&BA të diplomuar gjatë vitit kalendarik 2022.