Më datën 02.03.2023, studenti Abdullah Bahtiri mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “Kontributi i sahabëve në ruajtjen e hadithit”, pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

Komisioni ishte i përbërë nga:

1. Prof. ass. dr. Musa Vila, kryetar

2. Prof. ass. dr. Lulzim Esati, anëtar

3. Prof. asoc. dr. Sulejman Osmani, mentor

Fillimisht, mentori i temës, prof. asoc. dr. Sulejman Osmani, lexoi raportin e komisionit vlerësues të temës së paraqitur nga kandidati Abdullah Bahtiri.

Në vazhdim fjala iu dha kandidatit, i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në pika të shkurtëra dhe koncize. Ai në punimin e tij kishte për qëllim të tregoj në detaje kontributin e sahabëve për ruajtjen e Hadithit, duke i kushtuar rëndësi të madhe kushteve të besueshmërisë ndaj secilit hadith të transmetuar, ku mënyra e identifikimit të sahabëve bëhej me disa kushte paraprake, duke dëshmuar dhe të tjerët se ai ishte sahabi, përveç dëshmisë së vet sahabiut për veten e tij se është sahab.

Punimi ishte ndarë në 4 kapituj, ku kapitulli i flet për rëndësinë e sahabëve të Pjegamebrit a.s., kush quhej sahabi, pozita e sahabëve në ummet, kriteri i lartë fetar i sahabëve etj. Në kapitullin e dytë fokusi bie mbi vlerën e sahabëve, ajetet kuranore që flasin për sahabët, hadithet e Pejgamberit a.s. që flasin për sahabët, thënjet e sahabëve, devotshmëria e tyre, udhëheqja e tyre, dobia e njohjes së sahabëve etj. Ndërsa në kapitullin e tretë flitet për vlerësimin e Ehli Synetit për sahabët dhe kontributi i tyre në ruajtjen e Hadithit, Hadithi në kohën e sahabëve, metodat e ruajtjes së Hadithit nga ana e sahabëve dhe memorizimi i tyre, regjistrimi i Hadithit në kohën e sahabëve, etj. Dhe në kapitullin e katërt i jepet një hapësirë pasqyrimit të sahabëve në literaturën shqipe, në librat e shkruara, në librat në të cilët është shkruar për sahabët, në librat shkollorë në të cilët janë përmendur sahabët, në revistat si Edukata Islame, Dituria Islame, Buletini, Zani i Naltë, Hëna e Re, Drita Islame, Vizione etj.

Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni e përgëzoi për punën dhe për literaturën e shfrytëzuar, si dhe parashtroi disa pyetje për kandidatin si dhe u dhanë disa sugjerime nga ana e komisionit, të cilët vlerësuan se kandidati kishte mbledhur mjaftë material lidhur me temën duke shfrytëzuar literaturë të bollshme në gjuhën shqipe, arabe, turke dhe angleze dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.