Në kuadër të aktiviteteve hulumtuese dhe shkencore të Fakultetit të Studimeve Islame, sot ka dal botimi i vëllimit të katërt të projektit hulumtues, (Epitafet në gjuhën osmane – Deshifrimi dhe përkthimi i tyre, Regjioni i Ferizajt).
Studimet e fundit të filluara nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar kanë shpërfaqur faktin se, varrezat me mbishkrime/epitafet janë objekte kulturore ku puqen historia dhe arti. Një lëndë të tillë e përbëjnë edhe epitafet e shkruara në gjuhën osmane. Epitafet në gjuhën osmane të gjetura në trojet tona, kanë edhe vlerë shkencore e cila dëshmon për kulturën dhe traditën islame në këto treva. Ngritësit e këtyre epitafeve janë paraardhësit tanë, të cilët me shumë finesë, skalitën këta gurë me të dhëna biografike për të parët të cilët jetuan dhe vdiçën në tokat e tyre.
Botimi i vëllimit të katërt “Epitafet në gjuhën osmane – Deshifrimi dhe përkthimi i tyre, Regjioni i Ferizajt”, përfshinë rreth 250 gurë varrezor të dëshifruar. Gurë-varri më i vjetër është gjetur, në fshatin Paldonik të Hanit të Elezit, që i takon vitit 1715, sipas kalendarit Gregorian, pastaj gurë- varri në varrezat e fshatit Mirosalë, që i takon vitit 1752, si dhe gurë-varri i fshatit Greme, i vitit 1761 etj. Gurë-varri më i ri me mbishkrim, në guhën osmane është gjetur, në fshatin Kervenik të Hanit të Elezit, që i takon vitit 1976, pastaj gurë-varri në varrezat e fshatit Paldonik, të komunës së Hanit të Elezit, që i takon vitit 1956, si dhe gurë-varrit i fshatit Seçishtë (Hani i Elezit), që i takon vitit 1945.