Sot, më 02.05.2024, në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame, u bë promovimi i Akademisë “Studime Islame dhe Lidership”.

Ky është një projekt i përgatitur nga Bashkësia Islame e Kosovës, implementues i të cilit do të jetë Fakulteti i Studimeve Islame.

Kjo akademi ka një program njëvjeçar për të diplomuarit jashtë vendit në Studime Islame dhe për të tjerët të interesuar për këto studime. Qëllimi i programit është të ndihmojë të diplomuarit jashtë vendit të ambientohen me rrethanat dhe traditat vendore, që të arrijnë t’i artikulojnë dhe zbatojnë njohuritë e tyre në mënyrë efektive.

Programi përmban elemente akademike dhe profesionale për të ofruar një përvojë të pasur intelektuale dhe praktike.

Në këtë event me rëndësi, përveç stafit akademik të FSI-së dhe studentëve, ishte edhe Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, drejtori i Medresesë “Alauddin” z. Fadil Hasani, si dhe drejtori i Agjencionit të Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi.

Ky event fillimisht u hap me lexim të një ashereje nga Kurani, për të vazhduar më pas me një fjalë rasti nga Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ndër tjerash tha: “Konfirmimi dhe hapja e kësaj Akademie dhe promovimi i programit përfshinë në vete edhe shpalljen e një strategjie të re brenda Bashkësisë Islame dhe FSI-së, duke përfshirë kështu programe të vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit, si dhe formimit të një lidershipi, që ka për qëllim zhvillimin dhe afrimin e besimeve, kulturave, qytetërimeve, bashkëjetesës e respektimit të diversitetit brenda shoqërisë sonë, por edhe shoqërive të tjera edhe më shumë se deri tani, për të refuzuar ndarje dhe mosmarrëveshje për hir të një bote apo shoqërie globale pa luftëra dhe konflikte. Kjo Akademi synon përhapjen e frymës tolerante, frymës së dialogut e paqes. Ajo promovon mendimin e moderuar dhe mesatar që urdhëronfeja islame, duke mishëruar kështu përkushtimin e besimtarëve islam “për fe e atdhe”, dhe duke sjellë gjithherë në mendje si burim frymëzimi rrënjosjen e frymës evropiane në mesin e shoqërisë sonë. Ajo sjellë në pah te të gjithëbesimtarët se Islami është një besim, i cili pajtohet me zhvillimet e reja të qytetërimitshqiptar dhe i mbështet ato pa mëdyshje, si rrugë të drejtë për t’u bërë pjesë thelbësore jo vetëm e së djeshmes, por edhe e së sotmes, dhe e së ardhmes së kombit tonë.”

Ndërsa dekani i Fakultetit, prof.asoc.dr. Islam Hasani, pasi që përshëndeti të pranishmit, në pika të shkurtëra bëri prezantimin e Akademisë, duke u fokusuar në strukturën e këtij programi, mënyrën e vlerësimit të studentëve, kriteret për hyrje në këtë program, si dhe qëllimet esenciale të këtij programi.

Dekani Hasani në vazhdim përmendi edhe modulet e këtij programi duke theksuar se këto module janë bazë dhe kjo nuk e përjashtonë mundësinë e moduleve të tjera duke përfshi edhe ato jashtëkorrikulare.

Në këtë evenimet prezent ishte edhe drejtori i Agjencionit të Kosovës për Akreditim, i cili ndër tjerash tha se: “AKA është institucion i pavarur dhe përgjegjës për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, përfshirë edhe akreditimin e programeve të arsimit të lartë sipas prkatikvae më të mira ndërkombëtare. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me FSI-në, prandaj AKA ka qenë e njoftuar që nga fillimi për këtë program, sepse Akademia ka qëllim që të promovojë Islamin dhe po ashtu traditat tona shqiptare. Çdokush që vjen prej nje vendi duhet të ketë njohuri për kombin, kulturën dhe traditat e vendit të tij.

Në vazhdim drejtori Gashi tha se diplomat aktuale për programet e akredituara nga Agjencia njihen në nivelin mbi 90 % nga vendet e Evropës. “Ne edhe si shoqëri edhe si shtet krenohemi me vlerat fetare e kombëtare. Të gjitha njohuritë që i kemi me institucionet rajonale dhe ndërkombëtare dëshirojmë t’i ndajmë edhe me FSI-në. Edhe programet e reja do të kenë çdoherë mbështetje nga ne, dhe FSI ka kapacitet që të zgjerohet edhe tutje.”

FSI planifikon që me këtë Akademi të startojë nga viti i ardhshëm akademik.