Sot, më datë 04.12.2013, në sallën e amfiteatrit në Fakultetin e Studimeve Islame u bë ndarja e diplomave për 23 studentë të diplomuar gjatë vitit akademik 2012/2013.

Në këtë ceremoni prezent ishin dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, prof. dr. Qazim Qazimi, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtor, stafi akademik dhe administrativ i FSI-së, studentët diplomant dhe studentë të tjerë të Fakultetit, si dhe mysafirë të tjerë.

Fillimisht kjo ceremoni u hap me leximin e disa ajeteve të Kur’anit famëlartë nga studenti i Fakultetit, Kastriot Behrami. Nëvazhdim fjala iu dha dekanit të Fakultetit, prof. dr. Qazim Qazimit, i cili fillimisht i përshëndeti të pranishmit dhe iu uroj mirëseardhje. Gjatë fjalimit të tij dekani foli për ecuritë e punëve në FSI deri më tani dhe për aspiratat në të ardhmen. Ai vuri një theks të veçantë në çështjen e kuptimit të drejtë të mësimeve burimore islame dhe përgjegjësinë që do ta bartin diplomantët.

Më pastaj fjalën e mori myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, mr. Naim Tërnava i cili fillimisht i përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi dekanin dhe stafin menaxhues të FSI-së për punën që kanë bërë dhe që janë duke bërë për arsimimin dhe avancimin e studentëve. Në vazhdim myftiu tha se BIRK-u gjithherë ka qenë, dhe do të jetë në mbështetje të FSI-së, ngase, siç tha ai, FSI-a është një vend, që figurativisht mund të themi, prodhon kuadro të mirëfilltë për avancimin e mësimeve islame.

Kjo ceremoni u përmbyll me ndarjen e diplomave studentëve të diplomuar, nga ana e dekanit dhe myftiut.

Dhe, krejtësisht në fund të pranishmit u ftuan në një koktej rasti të organizuar në ambientet e FSI-së.

FJALA E DEKANIT

{gallery}diplm13{/gallery}