Hulumtimi, studimi dhe dëshifrimi i mbishkrimeve në gjuhën osmane, në gurët varrezorë, në Anamoravë, është i motivuar nga dëshira e madhe për të pasur më shumë njohuri dhe të dhëna për paraardhësit tanë, meqenëse në regjionin e Anamoravës nuk ka ndonjë hulumtim të veçantë për epitafet me mbishkrime në gjuhën osmane. Ashtu, si në regjionin e Prishtinës dhe të Mitrovicës më parë, Fakulteti i Studimeve Islame me ekspertët e fushës, në fillim të vitit 2020 ka marrë në shqyrtim dëshifrimin, përkthimin dhe transkriptimin e mbishkrimeve në gurët varrezorë në varrezat e vendbanimeve të Anamoravës (Gjilan, Viti, Kamenicë).
Duke e njohur vlerën dhe rëndësinë dokumentare të teksteve mbivarrezore, për të kaluarën tonë kulturore, historike, synojmë që përveç faktografisë, dëshifrimit dhe përkthimit, t’i bëjmë të pavdekshme këto figura, në mënyrë që studiuesve dhe lexuesve t’ua ofrojme edhe një argument më shumë për trashigiminë kulturore dhe historike të popullit tonë. Në veçanti, kur jemi dëshmitar të asaj, se këto tekste dokumentare të gdhendura në gurë, dita ditës po zhduken nga pakujdesia dhe mosnjohja e rëndësisë shkencore.
Mbështetja e këtij projekti, ka si pikësynim indetifikimin dhe publikimin e një studimi tërësor mbi epitafet (mbishkrimet varrezore), me shkrim osman në gjithë regjionin e Anamoravës. Megjithatë, si pasoj e rrethanave të krijuara në të kaluarën marrë parasysh edhe mungesën e studimeve dhe përkujdesjen institucionale, në raport me këto monumente të trashëgimisë së luajtshme kulturore të vendit tonë, hasen shumë vështirësi dhe pengesa gjatë hulumtimit, transkriptimit dhe përkthimit dhe të teksteve në fjalë, jo vetëm në regjionin e Anamoravës, por në tërë Kosovën.
Ekspertët dhe përgatitësit e këtij vëllimi të Epitafeve, Agron Islami dhe Selim Selimi, kanë arritur, që të lëvizin fshat më fshat dhe varrezë më varrezë, për t’i gjurmuar këto epitafe me mbishkrime, si bletët që shëtisin lule më lule, për t’i shënuar të dhënat e secilit person të vdekur, sikur: shprehjet me përmbajtje fetare, emri i të vdekurit, mbiemri, profesioni, titulli, data e vdekjes, lutjet për të vdekurin etj. Po ashtu, në libër janë prezantuar edhe fotot e epitafeve, të cilat janë pastruar aq sa ka qenë e mundur, në mënyrë që lexuesi të mund të bëjë krahasimet me origjinalin,
njëherit, siç do ta shihni në brendësi të këtij vëllimi është bërë edhe evidentimi dhe regjistrimi i çdo epitafi të dëmtuar, në secilat varreza dhe në çdo vendbanim të Anamoravës.
Është me intreres të themi, se pikërisht këto informata me rëndësi, për etërit tanë vijnë përmes këtyre gurëve, që në dukje duken shumë pasiv, por që në fakt në vete ato përmbajnë informata dhe të dhëna të gjalla për të kaluarën tonë. Këto dokumente të shkruara, na shërbejnë si regjistrim i popullatës sonë dhe letërnjoftime të të parëve tanë.
Botimi që kemi në dorë, me titull: “Epitafet në gjuhën osmane, dëshifrimi dhe përkthimi i tyre, numër 3, regjioni i Anamoravës”, përfshinë rreth 170 gurë varrezorë të dëshifruar. Gurëvarri më i vjetër është gjetur në fshatin Dobërçan, që i takon vitit 1715, sipas kalendarit Gregorian, pastaj gurëvarri në varrezat e fshatit Sllatinë e Epërme, nga viti 1750, më pas ai i Pogragjës, i vitit 1755, i Topanicës nga viti 1757, e të tjerë. Ky botim jep informacione për personalitete të ndryshme, që kanë jetuar në këto treva gjatë periudhës së sundimit Osman, si: muderris të njohur në mesin e tyre, Muderris Adem Efendiu, Muderris Abdurrahim Efendiu i biri i Hysejn Efendiut nga Llashtica, Mulla Junuzi etj. Vlenë të theksohet se ekspeditat në teren kanë rezultuar me evidentimin edhe të fisnikëve të Gjilanit, siç është rasti me pasardhësit e Gjinollëve, të cilët janë edhe themelues të kazasë së Gjilanit aty nga gjysma e dytë e shek. 18. Sikur vie fjala me epitafin e Ahmet Bahtiar Begut, të birit të Isref Begut nga Gjinollajt apo Gjinzade (bijtë e Gjinajve) Mustafë Begun, ku sipas të dhënave të skalitura në epitaf del se ka qenë Mirahor i gardës ushtarake të Sulltanit etj. Pra, këto mbishkrime varrezore të ofrojnë të dhëna të vyeshme shkencore mbi personalitete të kohës dhe jo vetëm. Njëherit, edhe forma e gdhendjes së shkronjave dhe përdorimi i stilit të shkrimit, sikur edhe përmbajtja e teksteve mbi këta gurë varrezorë është e një rëndësie të veçantë për kulturën e artit, letërsisë dhe mbi të gjitha për historinë e shkruar të këtyre banorëve të Anamoravës.
Në fund dua të shpreh falënderimet e sinqerta, për këshillin shkencorë të Fakultetit të Studimeve Islame, për mbështetjen e realizimit të projektit në fjalë, po ashtu ekipin e autorëve, redaksinë, recensentin, si dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, dhe kuvendin komunal të Gjilanit, për mbështetjen financiare, e cila ka mundësuar daljen në dritë të këtij botimi.
Prishtinë, 2021