I nderuar myfti i Republikës së Kosovës, mr Naim ef. Tërnava, të nderuar kolegë, studentë, zonja dhe zotërinj, mysafir  të respektuar,  të nderuar të pranishëm, Paçi paqen e All-lahut, bekimin dhe mëshirën e  Tij-السلام عليكم و رحمة الله و بركاته  dhe mirë se erdhët në këtë eveniment kur po bëjmë ndarjen e diplomave  të 23 diplomantëve.

Të nderuar, ne këtu në Fakultetin e Studimeve Islame, po insistojmë pa reshtur që ta zëmë hapin e vonuar në kuptim të akreditimit e të licencimit të programeve tona akademike gjë që kemi arritur, por jemi të gatshëm edhe ti avancojmë studimet tona me programe për studime pasuniversitare. Vlen të përmendet se interesimi i madh për të studiuar  në Fakultetin e Studimeve Islame; studentët, stafi akademik adekuat, infrastruktura e bollshme dhe moderne, mbështetja nga Kryesia e Bashkësisë Islame, janë garantues  dhe me ndihmën e All-llahut do të vazhdomë me suksese të reja.

Ja pra, sot po bëjmë ndarjen diplomave  edhe të 23 diplomantëve.

بسم الله الرحمن الرحيم

إِنَّا عَرَضْنَا الْأَمَانَةَ عَلَى السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَالْجِبَالِ فَأَبَيْنَ أَنْ يَحْمِلْنَهَا وَأَشْفَقْنَ مِنْهَا وَحَمَلَهَا الْإِنْسَانُ ﴿الأحزاب: ٧٢﴾

”Pa dyshim se Ne u kemi ofruar amanetin (Islamin) qiejve, Tokës dhe maleve, e ato ngurruan ta bartin atë dhe u frikësuan ta pranojnë, por atë e pranoi njeriu”. (Sureja El-Ahzabë, ajeti 72)

Dhe nisur nga ky ajet, lirisht mund të thuhet se ajo për të cilën dëshmoi historia e gjatë njerëzore, psikologjia e etika po pse jo edhe politika, është se synimet dhe mësimet e shquara madje  edhe shembujt e lartë praktikë nuk mund të formohen pa prijës, po edhe nëse formohen, nuk mund të ekzistojnë gjatë pa qëndruar pas tyre një grup njerëzish, që bartin përgjegjësinë, thënë më saktë, një komunitet prej njerëzve që e formësojnë  thirrjen e tyre, fuqizojnë idealet e tyre, lartësojnë flamurin e tyre, luftojnë në rrugën e tyre dhe i jetësojnë  parimet dhe principet e tyre në jetën praktike, e këta duhet të jeni edhe ju të nderuar diplomantë.

Do theksuar që dikush të bëhet mysliman i qytetëruar, mysliman i mirë e i vërtetë, kjo nuk do të thotë të jetë detyrimisht, aziatik, hixhazik, beduin i shek. VII, të veshë xhelebijen,“thevbin” apo pantollane të shkurtër, por kjo po ashtu, dhe assesi nuk do të thotë se ka islam rajonal,  islam nacional, islam parcial, islam lokal, islam tradicional, islam evropian, islam lindor (oriental) apo perëndimor (oksidental). Duhet ditur se ka vetëm një islam i cili njeh dhe respekton veçoritë, specifikat,  traditat, diversitetet e të tjerëve, për deri sa ato nuk bien ndesh me burimet themelore të Islamit e as me parimet, principet, detyrimet e Islamit autokton.

Në këtë kuptim, të jesh dijetar në kontekstin islam dhe në të njëjtën kohë të jesh mysliman në kuptimin praktik do të thotë të përpiqesh për të shprehur aftësitë tua për të kuptuarit e burimeve autoktone karshi kontekstit, në hapësirë dhe kohë, kur dhe ku jetohet.

Është imperativ i kohës që islami sot të interpretohet, në atë mënyrë që t’i përshtatet kohës dhe vendit në të cilin jetojmë, njëkohësisht duke mos kapërcye principet dhe postulatet themelore te fesë islame, por gjithnjë duke u mbështetur mbi bazën e normave ligjore të dala nga Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit a. s. si dhe të mësimeve morale islame. Thënë ndryshe, është e domosdoshme që të lexojmë, të mësojmë, të studiojmë në vazhdimësi Kur’anin dhe sunnetin e Pejgamberit, por edhe të lirohemi nga mendimet e ngurta që janë grumbulluar gjatë shekujve të kaluar. Sot duhet të ofrojmë përgjigje për çështjet bashkëkohore që  kanë nevojë apo i mundojnë muslimanët.

Mesazhi im i sotëm është ai i H. Aliut r.a. i cili paskësh thënë:

رَبُّوا اَوْلادَكُمْ على غير ما درجتم عليه لأنهم مخلوقون الى زمان غير زمانكم.

Edukoni fëmijët tuaj përtej asaj që jeni edukuar ju, ngase ata janë krijuar në një kohë përtej kohës tuaj.”

 

Në Prishtinë, më 04. 12. 2013                                Prof. Dr. Qazim Qazimi-Dekan