Prishtinë, 09.03.2016

Dekani i FSI-së Prof. Asoc. Dr. Fahrush Rexhepi në shoqërim të sekretarit, mr. Vedat Shabani dhe dy profesorëve, prof. Asoc. Dr. Sulejman Osmani dhe prof. Ass. Dr. Zija Abdullahu, sot vizitoi Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Atje u pritën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, prof. Ass. Dr. Faredin Ebibi, sekretari, mr. Argëtim Salihu, koordinatori për sigurimin e cilësisë dhe disa profesorë të tjerë.

Gjatë takimit u biseduan shumë çështje me interes për të dy institucionet akademike-shkencore islame, me theks të veçantë u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në rrafshin edukativ arsimor dhe shkencor mes dy fakulteteve. Gjatë këtij takimi u shkëmbyen edhe informacione, përvoja dhe eksperienca të ndërsjella lidhur me procesin e akreditimit si dhe format dhe rrugët e inkorporimit dhe bashkëpunimit me institucionet e larta të arsimit publik në Kosovë dhe Maqedoni.

Në fund të takimit të dy dekanët ranë në ujdi që të ketë takime më të shpeshta mes stafit mësimdhënës dhe studentëve të FSI-së dhe FSHI-së si dhe organizime dhe aktivitete në rrafshin kulturor, akademik dhe shkencor.

{gallery}fshi090316{/gallery}