Prishtinë, 23 tetor 2014 – Fakulteti i Studimeve Islame organizoi ceremoninë e shpërndarjes së indeksave për gjithsej 150 studentët e rinj të regjistruar në vitin akademik 2014/2015.  Studentëve me një fjalë përshëndetjeje iu drejtua prodekanja e fakultetit znj. Besa Ismaili, ndërsa Dekani i FSI-së prof. dr. Fahrush Rexhepi mbajti një fjalim gjatë të cilit studentët u njohtuan për të gjitha kushtet dhe mundësitë që ofron ky Fakultet, rregullat e studentëve dhe infrastrukturën përcjellëse.
Fakulteti i Studimeve Islame përveç kushteve moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie ofron shumë mundësi për studentët tonë edhe përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare në kuadër të programeve për shkëmbimin e studentëve me universitetet tjera jashtë Kosovës, gjatë semestrit veror’ – theksoi Dekani gjatë adresimit të tij studentëve.

Duke inkurajuar studentët që të shfrytëzojnë gjithë potencialin e vënë në shërbim të studentëve edhe nga ana e stafit mësimdhënës, Dekani në fjalimin e tij tërheq vëmendjen edhe tek ‘Biblioteka më e pasur me literaturë islame në rajon, e cila është në shërbim të studentëve të këtij Fakulteti’.
Duke iu referuar ngjarjeve  globale, prof. dr. Fahrush Rexhepi tha se: ‘ Mundësia për t’u zhvilluar akademikisht, institucionalisht dhe intelektualisht mbi Islamin në Kosovë dhe ndërshqiptarë kalon nëpër këtë institucion si mundësi e vetme aktualisht, dhe assesi përmes rrjeteve sociale, objekteve apo personave të panjohur, kafeneve apo mjediseve të tjera të joformale’.
Kosova është një vend i vogel dhe një popull i vogël, shumë i vogël për t’u ndarë dhe fragmentarizuar në grupe të ndryshme joformale, aq më tepër është shumë e vogël edhe për të marrë përgjegjësi për trende dhe procese globale të cilat nuk i takojnë dhe për të cilat nuk ka as kapacitete dhe as interes  që të merret me to’ – theksoi Dekani gjatë fjalimit të tij.
Interesi i studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame është interesi për të mirën e Kosovës, Islamit dhe muslimanëve pa dallim.
Me urimet dhe përshendetjet e ndërsjella për një vit të mbarë akademik 2014/2015, studentët u pajisen me indeksat për studentë të Fakultetit të Studimeve Islame- Prishtinë.