Në Tivar të Malit të Zi është zhvilluar konferenca shkencore dhe ndërkombëtare “Arsimi islam te shqiptarët: Sfida dhe perspektiva”, konferencë e cila ka mbledhur emrat më të njohur të shkencave didaktike dhe filologjike islame nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bosnja,Austria dhe më gjerë. Kjo konferencë u organizua nga bashkëpunimi mes Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT), me qendër në SHBA dhe Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) në Shqipëri, të udhëhequr nga drejtori i AIITC, dr. Ramiz Zekaj. Drejtuesit kryesor të arsimit islam të cikleve të ndryshme arsimore nëpër trevat shqipfolëse, pedagogë dhe studiues të fushës përmes kumtesave parashtruan situatën aktuale të arsimit islam, si dhe perspektivën në të ardhmen.
{jathumbnail}Bashkësia Islame e Kosovës dhe Fakulteti i Studimeve Islame u përfaqësuan nga Dekani prof.dr. Fahrush Rexhepi i cili referoi me temën “Mësimi fetar në institucionet e arsimit publik ndihmon integrimin e shoqërisë”. Në këtë konferencë morën pjesë edhe prodekanja Mr. Besa Ismajli me temë “Integrimi i njohurive në programin e arsimit islam; reforma e mendimit islam, prof. dr. Sulejman Osmani “Koncepti i arsimimit te muslimanët –teoria e sociologut Ibn Halduni si model”, PHD(c) Rexhep Suma, “Medreseja Aluddin, institucion arsimor islam dhe roli i saj në jetën publike të shqiptarëve”, dr. Ajni Sinani, ”Rregullimi i gjyqeve të sheriatit dhe e drejta e sheriatit”, dr. Xhabir Hamiti, “Arsimi dhe edukimi fetar në Kosovë kërkon kurrikula dhe mjete pedagogjike të reja”, prof. Dr. Musa Vila “Roli i traditës profetike, hadithit në arsimin islam te shqiptarët”, Ejup Ramadani, “Edukimi fetar-nga perspektiva e së ardhmes”, dr. Sadik Mehmeti & Mr. Ramadan Shkodra, “ (Mos)përfshirja e lëndës e drejta vakëfnore në kurrikulat e medreseve dhe fakulteteve tona islame”. Në konferencë u paraqitën 30 kumtesa shkencore, të ndara në 6 sesione kryesore. Përgjatë dy ditëve të konferencës u prezantuan rreth 30 kumtesa shkencore, të ndara në 6 sesione kryesore, ku drejtuesit kryesorë të arsimit islam të cikleve të ndryshme arsimore nëpër trevat shqipfolëse, pedagogë dhe studiues të fushës parashtruan situatën aktuale të arsimit islam, por edhe perspektivën e këtij arsimi, zhvillimi i të cilit është i lidhur ngushtë me aktualitetin dhe ardhmërinë e komuniteteve myslimane në këto troje.
Konferenca u zhvillua në formën e një tryeze rrumbullake, ku përveç kumtesave të prezantuara në 6 sesione radhazi, pati edhe shumë diskutime e debate mbi ide që u parashtruan për zbatim.
Disa nga tematikat kryesore të konferencës shkencore u përqendruan në çwshtjet e mëposhtme:
– Edukimi islam në nivelin parauniversitar: problemet dhe objektivat e tij nën dritën e kushteve aktuale.
–Arsimi i lartë islam midis kurrikulës tradicionale dhe realitetit kulturor bashkëkohor
– Teoria e integrimit të diturisë në kurrikulat e institucioneve arsimore islame
– Edukimi islam në shkollat shtetërore
– Tekstet shkollore fetare: aktualiteti dhe përmirësimi i tyre në përshtatje me kohën
– Mësuesit fetarë: përgatitja e tyre mes traditës dhe zhvillimeve bashkëkohore
– Imamët: trajnimi i tyre për të qenë udhëheqës komunitarë
– Zhvillimi i mendimit islam në institucionet e arsimit islam.