FAKULTETI I STUDIMEVE ISLAME
Prishtinë, 28.02.2015
Në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë sot, më datë 28.02.2015, u mbajt Sesioni Shkencor me temën:
“Migrimi i shqiptarëve shkaqet dhe pasojat 1912/2015”
Hapja e Sesionit u bë me leximin e disa ajeteve kuranore nga studenti i Fakultetit të Studimeve Islame, z. Bunjamin Hasani.
Në emër të organizatorit fjalën e hapjes së Sesionit e mbajti dekani i Fakulteti, prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi i cili fillimisht i përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë Sesion, e në veçanti pjesëmarrësit me kumtesat e tyre.
Dekani ndër të tjera tha: “Organizimet e tilla janë të rëndësishme veçmas kur Kosova po zbrazet për çdo ditë e më shumë nga qytetarët e saj, e veçmas nga rinia e saj, edhe pas 15 vite çlirimi nga pushtuesi shekullor serb, dhe 8 vite pas Pavarësisë”, ai gjithashtu tha: “Nëse nuk mirren masa sa më shpejtë dhe më urgjente për ta ndaluar këtë eksod, duke ju garantuar një jetë më të mirë qytetarëve, atëherë këta të rinj dhe këto familje nuk do të kthehen në Kosovë. Ne mendojmë se ky eksod i ikjes së shqiptarëve sot ka karakter krejtësisht tjetër nga periudhat tjera të migrimit. Tani popullata jonë po migron për të mos u kthyer më, ashtu siç ndodhi me shqiptarët e Shqipërisë gjatë vitit 1991-1992”. Krejt në fund dekani tha: “Mendojmë se trajtimi i kësaj teme të gjer është një vlerë më shumë për zgjidhjen e këtij problemi të shoqërisë tonë, i cili ka nevojë për ndriçim që vjen nga studiues mendjendritur që merren me hulumtime dhe që sjellin të vërteta shkencore për të cilat kemi nevojë të gjithë”.
Ndërsa në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të pranishmit i përshëndeti z. Reshat Mexhidi, zëvendës kryetar i BIRK-ut, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi organizatorët për një hap mjaft të qëlluar dhe në kohën e duhur, duke ju uruar sukses dhe punë të mbarë gjatë këtij Sesioni. Ai ndër të tjera tha: “Në fillim dua të ritheksoj faktin se fenomeni i migrimit – hixhretit siç njihet tek ne myslimanët – pra lëvizjes së njerëzve për shkaqe dhe arsye të ndryshme është po aq i vjetër sa edhe vetë njerëzimi”, ai gjithashtu tha: “Edhe në historinë tonë kombëtare, migrimi është më se i njohur; ai u përsërit në ne ndër vite e periudha të ndryshme, migrim ky që u karakterizua me shkaqe, arsye, rrethana dhe pasoja të ndryshme zhvillimi nga njëra periudhë në tjetrën”.
Në emër të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, foli akademik Mehmet Halimi i cili gjithashtu përshëndeti të pranishmit dhe uroj organizatorët për këtë organizim mjaft të qëlluar në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet më migrimin e popullatës. Ai ndër të tjera tha: “Tema bosht është sa aktuale aq edhe reale, sa e nevojshme dhe e domosdoshme, të themi aq edhe urgjent që ta mbrojmë truallin e atdhenë si shqiponja folenë, duaje vatanin në daç me plasë dushmanin”.
Në këtë Sesion pjesëmarrës ishin katërmbëdhjetë studiues të cilët u paraqitën me kumtesat e tyre para audiencës. Ata ishin:
1. Prof. dr. Muhamet Mala
2. Prof. dr. Hakif Bajrami
3. Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
4. Prof. dr. Jusuf Osmani
5. Dr. Ramadan Ramadani
6. Prof. dr. Nazmi Maliqi
7. Prof. aso. dr. Sulejman Osmani
8. Mr. Ajni Sinani
9. Akad. Feti Mehdiu
10. Mr. Rexhep Suma
11. Prof. dr. Adem Zejnullahu
12. Prof.dr. Hysen Matoshi
13. Prof. dr. Milazim Krasniqi
14. Kim Mehmetri, shkrimtar
Që të gjithë këta studiues përmes kumtesave të tyre dhanë një kontribut të çmuar karshi çështjes së migrimit të shqiptarëve.
Krejt në fund dekani i FSI-së edhe njëherë i falënderoi pjesëmarrësit e në veçanti panelistët për kontributin e tyre të çmuar dhe premtoi se këto kumtesa do të botohen me një botim të veçantë nga Fakulteti i Studimeve Islame.{gallery}migrimi{/gallery}