Studentët e FSI-së prezantojnë projektin hulumtues me titull:

“Ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë”

Dje, më datë 22.10.2020, në ambientet e FSI-së u bë dhe prezantimi i hulumtimit shkencor nga Grupi Hulumtues i studentëve të FSI-së në prezencë të dekanatit, profesorëve dhe studentëve të këtij fakulteti.

Prezantimi në fjalë ishte paraparë të mbahet në muajin mars të këtij viti, por për shkak të paraqitjes së virusit covid-19 u anulua për faktin se nuk ishte e mundur të realizohet duke e shtyre tashmë deri në ditët e sotme.

Ky është një studim i bërë lidhur me temën ‘Ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë’, i cili synon hulumtimin dhe identifikimin e efekteve negative që ushtrojnë rrjetet sociale te të rinjtë, krahas efekteve pozitive. Disa nga hipotezat e studimit tonë ishin se përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale ka ndikuar edhe në zbrazjen e bibliotekave, në të cilat numri i lexuesve është i vogël, ndërkohë më i pëlqyeshëm për të riun është bërë passwordi i WI-FI-së sesa titulli i një libri “Best Seller”; po ashtu edhe qëndrimi me familjen, si pjesa më e bukur e jetës, është zëvendësuar me biseda të herëpashershme nëpërmjet telefonave të mençur, ndërsa takimet fizike me të dashurit e zemrës bëhen përmes kamerave dhe përqafimet janë zëvendësuar me “stickers” e gjithë kjo për shkak të “dashurisë” ndaj rrjeteve sociale.

Metoda e hulumtimit, e zbatuar për të mbledhur të dhëna për këtë studim, ishte ajo empirike, ndër të cilat kemi përdorur metodën kualitative dhe kuantitative, si dhe metodat teorike, pasi që kemi shfrytëzuar libra të së njëjtës fushë si dhe studime të mëhershme lidhur me këtë temë.

Në këtë studim u përfshinë afër 1500 pjesëmarrës nga shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Gjilani, Ferizaji dhe Podujeva. Mosha e tyre ishte 13-29 vjeçe. Pyetësori përmbante tetë pyetje, me nga 3, 4 dhe 5 opsione.

Nga rezultati i studimit, hipoteza jonë u mbështet, sepse ata ranë dakord se ndikimi i rrjeteve sociale, si në aspektin e mos leximit, ndikimit psikik dhe fizik, humbjes së kohës dhe mos kalimit të kohës me familje e me të afërm është i pranishëm dhe po ashtu e pranishme është edhe varësia te pothuajse gjysma e atyre që kishin menduar të largoheshin nga ndikimi i rrjeteve sociale, por nuk ia kishin dalë.

Hulumtimi është shkruar gjithashtu dhe mendohet të botohet dhe në kopje fizike në ditët në vazhdim në bashkëpunim me dekanatin, ku dhe kemi pasur përkrahjen e Dekanit që nga fillimi e deri ne përfundimin e këtij projekti.