Prof. dr. Fahrush Rexhepi
Dekan i Fakultetit të Studimeve Islame
Fahrush Rexhepi u lind më 2 maj 1960 në Sllatinë të Epërme, Komuna e Vitisë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë. Ka diplomuar më 1986 në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik, Universiteti i Bagdadit. Më 2001, në Universitetin e Prishtinës, e ka mbrojtur temën e magjistraturës. Ndërkaq, më 2009, i ka përfunduar studimet e doktoraturës po në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, departamenti i Historisë.
Në periudhën 1995-2011 ka qenë mësimdhënës në paralelen e ndarë të Medresesë së Mesme “Alaudin“ në Gjilan. Gjithashtu, gjatë viteve 1997 deri në vitin 2011, ishte koordinator i kësaj paraleleje të ndarë. Në Fakultetin e Studimeve Islame është angazhuar si mësimdhënës që nga viti akademik 1995-1996, ligjëron lëndët: Sire, Historia e Religjionit, Islami dhe Evropa. Po ashtu është ligjërues edhe në nivelin master në FSI. Më 2014 është zgjedhur Dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, detyrë të cilën e kryen edhe tani. Nga viti 2010 deri në vitin 2016 ka
ligjëruar në universitetin AAB, në Fakultetin e Shkencave Sociale, ndërsa nga 2010 deri në 2012 ka kryer detyrën e dekanit të këtij Fakulteti. Fahrush Rexhepi është autor i një numri të konsideruar studimesh dhe kumtesash të paraqitura në aktivitete shkencore, të organizuara në vend dhe jashtë tij, ndërsa ka botuar edhe librin “Periodiku shqiptar islam“ (gjysma e parë e shekullit XX), botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Krahas punës në mësimdhënie, Fahrush Rexhepi ka kryer edhe shumë detyra në kuadër të strukturës organizative të Bashkësisë Islame të Kosovës. Përveçse ka punuar si imam për afër 14 vite, ai në dy mandate ishte anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, ndërsa në periudhën 2003-2013 anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe shpeshherë ka kryer detyrën e zv.kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, me ç’rast ka përfaqësuar këtë institucion në forume, takime dhe tubime të ndryshme si në vend ashtu edhe jashtë vendit.