E mërkurë 07 Janar 2015, Prishtinë

Në Amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, në pjesëmarrjen e musafirëve të shumtë,  nën organizimin e Fakultetit të Studimeve Islame dhe Unionit Studentor të FSI-së, u mbajt tribuna ‘`Gruaja, feja dhe shoqëria kosovare’ nga ligjeruesja Mr. Besa Ismaili Ahmeti.

U mbajt tribuna `Gruaja, feja dhe shoqëria kosovare’  Tribunën e hapi dekani i Fakultetit të Studimeve Islame prof. dr. Fahrush Rexhepi, i cili përgëzoi Unionin studentor për organizimin dhe aktivitetet që po zhvillon. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për këto aktivitete. Dekani  foli për rëndësinë e njohjes së kësaj teme, për pozitën e gruas në shoqëri nga këndvështrimi fetar  dhe të drejtat që i garanton sistemi shoqëror. Pjesëmarrësit gjithashtu u informuan për serinë e ligjeratave dhe tribunave që do të mbahen në Fakultetin e Studimeve Islame me musafirë dhe panelistë eminentë të fushave të ndryshme.

  Ligjëruesja në temën e elaboruar trajtoi në detaje rregullimin ligjor të çështjeve të fesë dhe të grave në shoqërinë kosovare nëpër etapa të ndryshme historike, dhe ofroi analiza krahasimore mes fazave të ndryshme kohore që pasqyronin gjendjen e gruas besimtare përgjatë autoriteteve shtetërore dhe akterëve të ndryshëm politik. Analizat e prezantuara në kuadër të diskursit feminist sollën në diskutim çështjet kyçe të modernizmit, patriarkalizmit dhe fesë. Përpjekjet për të imponuar opozita binare (sekulare/fetare, publike/private, moderne/dekadencë, fe/atdhje etj u cilësuan jo të drejta, të pasakta dhe në dëm të zhvillimit të grave të një shoqërie. Thelbi i diskutimeve u përqëndrua rreth çështjeve të  kujtesës kolektive , imazhërisë dhe përdorimit politik, diskriminues dhe selektiv të një modeli të gruas ‘së pranueshme’  në shoqëri.
 
Pozita dhe roli i grave në kuadër të institucioneve fetare të Kosovës gjithashtu u ilustrua me të dhënat e mbledhura nga anketa e zhvilluar  nga ligjëruesja me përfaqësueset e të gjitha komuniteteve fetare në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014. Të dhënat tregonin për probleme dhe shqetësime të ngjashme mes grave të këtyre komuniteteve për sa i përket qëndrimit të shtetit ndaj tyre.

Zbatim i plotë i dispozitave kushtetuese dhe ligjore për të drejtat dhe liritë fetare në Kosovë, fuqizimi i grave pa dallim bindjesh fetare dhe themelimi i instituteve kërkimore-shkencore që dokumentojnë përvojat dhe gjendjen e grave fetare ishin disa nga përfundimet nga kjo ligjëratë.{gallery}trbgruaja{/gallery}