Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës dhe Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame në Prishtinë, sot kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit, i cili do t’u shërbejë dy institucioneve në fushëveprimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për realizimin e interesave të dyanshme në fushën e hulumtimeve dhe kërkimore shkencore.

Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, me rastin e nënshkrimit të Memorandumit theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje do të nxisë dhe do të ndihmojë në zhvillimin dhe realizimin e shumë projekteve akademike, shkencore e hulumtuese. “Biblioteka e FSI-së posedon një numër të konsiderueshëm të literaturës, ku kemi mbi 10 mijë tituj të evidentuar në gjuhë të ndryshme, por ruhen edhe afro 2000 dorëshkrime të vjetra të gjuhës osmane”.

Ndërsa Drejtori i IHSI-së prof. Sabri Bajgora, ndër të tjera, tha: “Nënshkrimi i këtij memorandumi ka për ne një rëndësi të veçantë dhe mendoj se kemi shumë fusha të përbashkëta ku mund të arrijmë në një bashkëpunim të frytshëm, e sidomos në trashëgiminë tonë shpirtërore. Fokusi ynë do të jetë eksplorimi i dorëshkrimeve të vjetra dhe mundësia që nga ato të nxjerrim dëshmi për historinë tonë të shkruar me shkrim osman, sidomos për ndriçimin e figurave të dijetarëve dhe ylemave tanë, ngase këtë e kemi obligim ndaj tyre.”

Prishtinë, 25 janar 2022