Në prani të shumë studentëve të FSI-së, të stafit mësimdhënës dhe të udhëheqjes së Fakultetit, sot u mbajt ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 43 student të diplomuar në nivelin bachelor dhe 5 student në programin master për vitin 2021.
Në këtë tubim ceremonial një fjalë rasti mbajti dekani i FSI-së, prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi, i cili pasi përshëndeti dhe uroi studentët për suksesin e arritur, ndër të tjera tha: Sot është një ditë e lumtur dhe gëzimi për gjithë studentët e FSI-së, për stafin mësimdhënës, e veçmas për studentët të cilët sot po pajisen me diplomat e fituara në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Dekani Rexhepi në këtë tubim kërkoi nga të diplomuarit që, kudo që ata do të punojnë apo angazhohen në të ardhmen, t’i përfaqësojnë denjësishtë parimet islame dhe t’i mbrojnë ato duke i respektuar edhe mësimet që i kanë marrë nga profesorët e tyre dhe duke i respektuar edhe ligjet dhe rregulloret e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe shkollën juridike hanefite.
Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili gjatë fjalimit të tij shpalosi kujtime dhe ngjarje nga e kaluara. Duke theksuar se në atë kohë gjithcka ka qenë më e vështirë. Ndërsa tani jemi në një situate më të volitshme dhe kërkoi nga studentët e diplomuar që të jenë vixhilentë në misionin e tyre.
Në fund të ceremonisë sekretari i Fakultetit bëri prezentimin e emrave të kandidatëve të diplomuar.