Prishtinë, 07 Mars 2024

Sot, më datë 07.03.2024, studenti Hazir Selmani mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “Tre shekujt e parë të medhhebit hanefi”, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Komisioni ishte i përbërë nga:

1. Prof. ass. dr. Musa Vila, kryetar

2. Prof. ass. dr. Lulzim Esati, anëtar

3. Prof. ass. dr. Shefqet Krasniqi, mentor

Fillimisht fjala iu dha kandidatit Hazir Selmani, i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në pika të shkurtëra dhe koncize. Ai në punimin e tij kishte për qëllim vështrimin e thellë hulumtues që gjurmon periudhën kohore 120-419 h. të medhhebit hanefi, gjithashtu hulumtimin e gjetjes së personaliteteve më të rëndësishme të medhhebit Hanefi, që vdiqën brenda kësaj periudhe kohore.

Në këtë punim janë diskutuar 73 biografi personalitetesh të rëndësishëm të medhhebit Hanefi, që vdiqën brenda kufijve të periudhës 3 shekullore 120-419 h. Këto personalitete kanë shkruar 282 libra, por prej 282 veprave nga hulumtimi i studentit del se 210 vepra janë të humbura, ndërsa 72 prej tyre ekzistojnë të plota dhe të pjesshme. Dhe prej 73 personaliteteve del se 28 prej tyre kanë qenë kakinj, 9 prej tyre ishin totalisht kundër kadillëkut, ndërsa 36 prej tyre nuk ishin kundër por as nuk kanë ushtruar këtë post të kadiut.

Punimi ishte ndarë në 3 kapituj, dhe shumë nënkapituj. Kapitulli i parë flet për shekullin e parë të medhhebit Hanefi, ku sqaron për rrugën e medhhebeve, Ligjvënësin, Pejgamberin a.s., sahabët, tabiinët, tabi- tabiinët dhe personalitetet e rëndësishme të këtij medhhebi deri te ebu Hanife. Në kapitullin e dytë flitet për shekullin e dytë të medhhebit hanefi, personalitetet e medhhebit Hanefi që vdiqën në shekullin e tij të dytë si dhe literatura dhe veprat e tyre . Ndërsa në kapitullin e fundit vazhdon me shekullin e tretë të medhhebit hanefi, ku përmend një historik të shkurtër të këtij shekulli si dhe flet prapë për personalitetet e medhhebit hanefi që vdiqën në shekullin e tij të tretë si dhe për literaturën e tyre.

Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni parashtroi disa pyetje për kandidatin si dhe u dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e madhe nga ana e komisionit, duke e çmuar edhe punën e bërë dhe literaturën e shumtë, ku kandidati kishte mbledhur mjaftë material lidhur me temën duke shfrytëzuar literaturë të bollshme në gjuhën shqipe, arabe dhe angleze dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer, si dhe i propozuan dekanatit për botimin e këtij punimi të shkëlqyer.