Prishtinë, 08 Mars 2024
Sot, më datë 08.03.2024, studentja Muzafere Kosumi mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “Xhamia e ‘Rashitit’ në Zhiti të trevës së Llapit përgjatë shekullti XX”, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Komisioni ishte i përbërë nga:
1. Prof. asoc. dr. Islam Hasani, kryetar
2. Prof. dr. Fahrush Rexhepi, anëtar
3. Prof. asoc. dr. Sadik Mehmeti, mentor
Fillimisht fjala iu dha kandidatës Muzafere Kosumi, e cila bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në mënyrë mjaftë koncize. Ajo në punimin e saj kishte për qëllim që lexuesit të kuptojnë se si është ruajtur kjo trashëgimi që nga shek XVI-të, rindërtimi i saj, si dhe rolin që luajti kjo xhami përgjatë historisë si rezultat i ndryshimeve shoqërore-politike, demografike dhe socio-kulturore. Po ashtu, identifikimin e trashëgimisë islame, publikimin e kontributit të ulemave islam që ishin në shërbim të Islamit në këtë trevë, si dhe ruajtjen e traditës islame në familjet e këtij regjioni.
Punimi ishte ndarë në 4 kapituj. Kapitulli i parë flet për Islamin në trevën e Llapit në këndëvështrimin historiko-gjeografik, trashëgimia Islame në trevën e Llapit, xhamitë në trevën e Llapit, Mejtepet në trevën e Llapit dhe Vakëfet në trevën e Llapit. Në kapitullin e dytë flitet për xhaminë e fshatit Zhiti, Historikun e Xhamisë së ‘Rashitit’ në Zhiti, arkitektura dhe rilevimi, rilevimi i Xhamisë së ‘Rashitit’ gjendja faktike (viti 2023), përshkrimi arki-tektonik dhe enterieri i xhamisë. Ndërsa në kapitullin e tretë, përmenden imamët e xhamisë së “Rashitit” dhe roli i tyre gjatë shekullit XX, si dhe Imamët (hatibët, vaizët, mualimët). Dhe në kapitullin e fundit flitet për kontributin e xhamisë së Rashitit në ruajtjen dhe kultivimin e vetëdijes fetare dhe kombëtare.
Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatës, komisioni parashtroi disa pyetje për kandidaten si dhe u dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e saj nga ana e komisionit, duke e çmuar mundin dhe punën e bërë si një temë që nuk ka shkruar askush para kësaj dhe e cila do të kontribojë në ndriçimin e trashëgimisë Islame në vend dhe në fund I sygjeruan ta botojë, si dhe e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.