Më datë 21.04.2026, u promovua projekti me titull: “Promovimi i politikave gjithëpërfshirëse të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në arsimin e lartë”, i realizuar nga studentët e Fakultetit të Studimeve Islame.
Ky projekt është mbështetur nga programi SHER, ADA dhe MASHT, duke reflektuar një bashkëpunim të rëndësishëm në avancimin e barazisë në arsim. Përfitues dhe menaxher i projektit ishte studenti Muhib Kozhani, ndërsa mbikëqyrës i tij ishte Arlind Gajtani. Projekti u implementua me sukses në tri qytete të Kosovës: Fushë Kosovë, Lipjan dhe Ferizaj.
Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte promovimi i politikave gjithëpërfshirëse për grupet e margjinalizuara në Kosovë, duke ofruar informacione të qarta mbi mundësitë që këto komunitete kanë për qasje më të lehtë në universitetet e vendit. Po ashtu, projekti synoi rritjen e ndërgjegjësimit mbi mundësitë e përfitimit të bursave dhe të drejtat e tjera që lidhen me arsimin e lartë.
Projekti është zhvilluar në tri faza kryesore. Faza e parë përfshiu hartimin dhe realizimin e një ankete me një target prej 300 respondentësh në komunat përkatëse, si dhe analizimin e të dhënave dhe përgatitjen e një raporti mbi të gjeturat. Faza e dytë u fokusua në organizimin dhe mbajtjen e tre seminareve/ligjëratave në këto komuna, me qëllim prezantimin e informacioneve mbi politikat gjithëpërfshirëse dhe mundësitë në arsimin e lartë. Ndërsa faza e tretë përfshiu hartimin e një broshure informuese, e cila përmban të dhëna mbi të drejtat për studim dhe avancim akademik pa dallime.
Projekti ka filluar më 01.10.2025 dhe pritet të përfundojë më 01.05.2026, duke lënë pas një ndikim të rëndësishëm në përkrahjen dhe fuqizimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në fushën e arsimit të lartë.
Prishtinë,
22.04.2026












