Fillimisht këtë evenimet e hapi dekani i fakultetit, prof. asoc. dr. Islam Hasani i cili i shprehu mirëseardhje autorit të librit, duke falënderuar gjithashtu edhe Institutin KONAK.

Në vazhdim fjala iu kalua autorit të librit i cili ndër të tjera theksoi se libri trajton konceptin “El-Ismah el-Ademijje”, që nënkupton pacenueshmërinë dhe mbrojtjen e pesë elementeve themelore: fesë, jetës, nderit, pasurisë dhe mendjes. Përmes këtij leximi kuptova se Islami nuk përcakton parime vetëm për mbrojtjen e të drejtave të muslimanëve, por të të gjithë njerëzve, pa dallim racor, etnik, klasor apo fetar. Ky parim nuk gjendet vetëm në librin El-Hidaje të Merginanit, por është i pranishëm edhe në literaturën tjetër të fikhut.

Ky zbulim më riktheu në periudhën kur studioja në shkollat e imam-hatibit në lagjen Fatih të Stambollit, ku më lindte pyetja se si ishte e mundur bashkëjetesa paqësore e bashkësive të ndryshme fetare. Më vonë kuptova se kjo nuk ishte dukuri e kufizuar vetëm në Stamboll, por një praktikë e përhapur në botën islame. Ky koncept e ka bazën në Kuranin fisnik, në ajetin: “Ne, me të vërtetë, i kemi nderuar bijtë e Ademit”, ndërsa zbatimi i tij shihet që në shembullin e Pejgamberit ﷺ në Medinë, i cili ua njohu të drejtat themelore të gjithë banorëve, pavarësisht dallimeve fetare. Shembuj të tjerë historikë janë ndihma e Sulltan Bajazitit II për hebrenjtë e përndjekur në Spanjë dhe ndihmat e shtetit osman për popullsinë e uritur të Irlandës. Ky universalizëm vërehet edhe në Hytben e Lamtumirës, ku Pejgamberi ﷺ iu drejtua gjithë njerëzimit me fjalët: “O ju njerëz!”.

Qëllimi i sistemit islam nuk është imponimi i fesë, por krijimi i një ambienti ku secili njeri mund ta shprehë vullnetin e tij të lirë dhe t’i gëzojë të drejtat themelore. Sipas qëndrimeve të paraqitura nga profesori, medhhebet hanefij, malikij dhe hanbelij e lidhin mbrojtjen e të drejtave me vetë qenien njerëzore, ndërsa medhhebi shafiij e kufizon këtë përgjegjësi brenda juridiksionit të shtetit islam. Kështu, nga perspektiva e këtij koncepti, të drejtat nuk janë dhuratë e shtetit dhe as rezultat i ndonjë kontrate, por janë të natyrshme dhe të patjetërsueshme. Prandaj, Ademijje mund të shprehet me fjalët: “Unë jam dhe, si rrjedhojë, kam të drejta dhe obligime.”

Prishtinë,
02.11.2026