Prishtinë, 30.09.2020

 

Kapelani i Ushtrisë së KFOR-it amerikan, Nën-Kolonel Jakob Scott vizitoi Fakultetin e Studimeve Islame

Sot, më datë 30.09.2020, për vizitë në FSI ishte Kapelani i Ushtrisë së KFOR-it amerikan,  Nën-Kolonel Jakob Scott i shoqëruar nga Rreshteri z. Hamby dhe këshilltari, njëherit edhe përkthyesi i tij, z, Naim Bajrami.

Mysafirët i priti dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi me bashkëpunëtorë.

Fillimisht, dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, ju shprehu mirëseardhje mysafirëve dhe i njoftoi ata me rrjedhat e përgjithshme në FSI. Edhe kapelani, z. Scott falënderoi dekani për realizimin e kësaj vizite dhe për mikpritjen e ngrohtë .

Dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, i njoftoi mysafirët për historikun dhe zhvillimet në FSI, reformat, kurrikulat, kuadrin dhe punën e FSI-së në rrafshin akademik dhe shkencor. Në vazhdim dekani Rexhepi foli edhe për rolin e FSI-së në promovimin e vlerave tolerante dhe paqësore në shoqërinë tonë duke theksuar se misioni i FSI-së, përveç që është arsimimi dhe edukimi i brezave të rinj në fushën e studimeve Islame, është edhe ndërtimi i paqes, tolerancës dhe dialogut ndër-fetar e ndëretnik.

Nga ana e tij, kapelani e informoi dekani për misionin dhe detyrat e tij në kuadër të ushtrisë së KFOR-it, duke theksuar se roli i udhëheqësve fetar çdo herë është i nevojshëm për tejkalimin e sfidave të ndryshme. Kapelani gjithashtu theksoi se ka realizuar takime me shume kryetar të këshillave të Bashkësisë Islame në Kosovë dhe me imamë, ku që të gjitha kanë fjalë të mira për punën që është duke bërë FSI në fushën e arsimimit dhe ruajtjes së tolerancës.

Në fund të takimin, dekani në shenjë mirënjohje, i dhuroi kapelanit një dhuratë simbolike me stemën e FSI-së si dhe disa botime të Fakultetit.

Prishtinë

30.09.2020