Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Prof. Asoc. Dr. Islam Hasani po qëndron për vizitë zyrtare në Konja të Turqisë ku është pritur dhe ka realizuar takime me rektorët e universiteteve më të njohura të Konjës si dhe me dekanët e Fakulteteve të studimeve islame (Ilahijat).
Të hënën më 19.12.2022 dekani dr. Islam Hasani është pritur nga rektori i universitetit “Necmettin Erbakan”, Prof. Dr. Cem Zorlu. Dekani Hasani e falënderoi rektorin për pritjen si dhe e njohu me historikun, arritjet, zhvillimet dhe sfidat e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Dekani Hasani dhe rektori Zorlu biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes Universitetit, respektivisht në mes fakultetit të Ilahijatit dhe FSI me të cilin ka një memorandum bashkëpunimi të nënshkruar vitin e shkuar. Me tutje Dekani Hasani dhe rektori Cem Zorlu u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin dhe të shohin mundësinë për organizimin e programeve të përbashkëta dhe për dhënien e diplomave të dyfishta.
Dekani Hasani u prit në takim të ndarë edhe nga dekani i Fakultetit të Ilahijatit të Universitetit “Necmettin Erbakan”, Prof. Dr. Fikret Karapinar, ku u dakorduan për jetësimin e memorandumit ku përfshihet shkëmbimi i studentëve gjatë semestrave, shkëmbimi i profesorëve, organizimi i konferencave e seminareve të përbashkëta.
Ndërsa të mërkurën më 21.12.2022, dekani Hasani u prit nga rektori i Universitetit KTO Karatay, Prof. Dr. Fevzi Rifat Ortac.
Dekani Hasani dhe rektori Ortac biseduan për themelimin e programeve të reja nga fusha e Ekonomisë Islame në të gjitha nivelet e studimeve bachelor, master e doktroratë. Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të studiojnë mundësinë për bashkëpunim në programe tjera që ka ky universitet dhe në bazë të interesimit të dyanshëm të përgatitin memorandumet e bashkëpunimit.
Po sot, dekani dr. Islam Hasani u prit edhe nga rektori i Universitetit Selcuk, Prof. Dr. Metin Aksoy si dhe dekani i Ilahijatit në këtë universitet, prof .dr. Ramazan Altintas. Dekani Hasani i njohu nikoqirët me planet që ka FSI për themelimin e programeve të reja. Edhe këtu Dekani kërkoi bashkëpunim për organizimin e programeve të përbashkëta dhe dhënien e diplomave të dyfishta. Po ashtu bashkëbiseduesit u dakorduan për këmbim të stafit akademik, dërgimin e studentëve tanë në studime semestrale në fakultetin e Ilahijatit të Universitetit Selcuk.
Të gjitha takimet e dekanit me nikoqirët kaluan në frymë të ngrohtë vëllazërore.