Dekani i FSI-së, prof. asoc. dr. Islam Hasani, së bashku me sekretarin e Fakultetit, mr. Vedat Shabani, janë duke qëndruar në vizitë zyrtare në qytetin e Kütahyas, konkretisht në Universitetit “Kütahya Dumlupinar University”.
Kjo vizitë është realizuar me ftesën e rektorit të universitetit, prof. dr. Kazëm Uysal, me rastin e organizimit të ceremonisë së diplomimit të studentëve, e cila do të mbahet më datë 07.07.2023, ditën e premte.
Gjatë ditës së parë të vizitës, dekani i FSI-së u prit nga rektori i universitetit prof. dr. Kazëm Uysal i cili fillimisht i shprehu mirëseardhje dekanit Hasani, duke e falënderuar atë për këtë vizitë. Më pastaj rektori i universitetit informoi delegacionin e FSI-së për historikun e universitetit, fakultetet të cilat janë pjesë e këtij universitetit, stafin akademik dhe studentët, me theks të veçantë, biseda u zhvillua rreth mundësisë së bashkëpunimit mes dy fakulteteve të studimeve islame përmes programit “Erasmus”.
Pas përfundimit të takimit me rektorin e universitetit, dekani Hasani u prit nga homologu i tij, konkretisht nga dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në kuadër të universitetit, prof. dr. Ali Çelik, si dhe stafi akademik.
Gjatë këtij takimi dekani Hasani fillimisht falënderoi dekanin e Fakultetit dhe stafin akademik për mikëpritje e tyre të ngrohtë. Më pastaj dekani Hasani shpalosi në pika të shkurtëra historikun e FSI-së, programet të cilat ne i ofrojmë si dhe për stafin akademik dhe studentët. Në fokus të bisedës ishte çështja e realizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy fakulteteve, veçmas në fushën e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve si dhe në fushën e hulumtimit dhe organizimit të konferencave dhe simpoziumeve shkencore. Parimisht, të dy palët u pajtuan që të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi rreth çështjeve të biseduara.