22.04.2021, Prishtine
Doli nga shtypi vëllimi i parë i librit
“Margaritari në detin e Fikhu Ibadatit 1”
i autorës dr. Ilmije Kuqi.
Libri është botim i Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës. Ky libër është pjesë e plan-programit të lëndës së “Fik’hu Ibadat-it” e cila ligjërohet për studentët e vitit të parë në kuadër të programit “Teologji Islame”, niveli BA.
Në parathëni autorja thekson se libri ofron njohuri të mjaftueshme për dispozitat islame në fushën e ibadatit. Libri është ndarë në tre vëllime. Vëllimi i parë, i cili tani më është botuar dhe gjendet në duartë e studentëve dhe lexuesve, flet për pastërtinë, vëllimi i dytë flet për namazin, ndërsa vëllimi i tretë flet për zekatin, agjërimin dhe haxhin.
Ndërsa sa i përket metodologjisë së përdorur autorja në parathënie thotë: Jam munduar të sjell argumente për çdo mesele, ndoshta edhe e kam tepruar me argumente, mirëpo këtë nuk e kam bërë vetëm se për të bërë me dije se medhhebi hanefiështë jurisprudencë shumë e thellë që nuk del jashtë Kur’anit dhe Sunetit dhe nuk e ka marrë një vendim pos për shkak të ekzistimit të argumenteve të shumta që flasin në lidhje me atë çështje.
Për ndonjë mesele nuk jam mjaftuar me sjelljen e një apo dy argumenteve, por kam sjellë një numër të konsiderueshëm argumentesh për shkak se janë prej meseleve rreth të cilave dijetarët kanë dhënë mendim ndryshe nga medhhebi hanefi. Për ta bërë të qartë arsyen e mendimit të këtij medhhebi, ka qenë e nevojshme përmendja e një numri më të madh argumentesh, pasi mospërmendja e ndonjërit prej tyre, duke menduar se është e mjaftueshme përmendja e dy apo tre argumenteve, do linte mangësi dhe do e zbehte përgjigjen e meselesë.
Ndonjëherë në lidhje me ndonjë mesele, e cila është aktuale në mesin tonë, kam përmendur edhe mendimet e juristëve të shkollave të tjera juridike, për shkak se fetvatë janë në kundërshtim me katër shkollat juridike.
Në komentimin e haditheve kam përmendur mendimet e hadithologëve dhe fukahave.
Për hadithet që kam sjellë këtu jam munduar të tregoj burimin dhe shkallën e tyre, me përjashtim të haditheve që janë përmendur në Sahihu El-Buhari dhe Sahihu Muslim dhe të atyre haditheve për të cilat nuk kam gjetur asnjë mendim të ndonjë hadithologu në lidhje me të. Ndërsa për hadithet që janë përmendur vetëm në Sahihu Muslim e jo te Buhariu, afër tyre kam përmendur edhe libra të tjerë të hadithit, nëse kam gjetur.
Për disa hadithe me të cilat nuk ka vepruar medhhebi hanefi, e kam treguar arsyen e tyre.
Për dijetarët që kam përmendur, kam shkruar nga një biografi të shkurtër – përveç atyre qe kanë arritur atë pikë që nuk kanë nevojë për përshkrim të biografisë së tij – dhe kam përmendur emrin e tij të plotë, datën e lindjes dhe vdekjes nëse ka, mendimin e një dijetari në lidhje me të dhe disa vepra të tij.
Shumë herë nuk jam mjaftuar me përmendjen e vetëm një burimi, por kam përmendur disa burime:
-ose për shkak se të gjitha të dhënat që kam përmendur nuk janë përmendur në të njëjtin libër, por në të gjitha ato burime së bashku gjenden të gjitha ato që kam përmendur, duke e bërë ndërlidhjen e fjalive ndërmjet tyre nga ana ime;
-ose për shkak se në lidhje me atë çështje ka më shumë se një mendim brenda medhhebit dhe jemi detyruar që mendimin e përmendur lart ta vërtetoj me përmendjen e disa burimeve. Prandaj mund të them se fshirja e ndonjë burimi ndër to lë mangësi.
Burimet i kam përmendur sipas moshës së autorit të tyre, se cili prej tyre është më i vjetër.