Tituli original i librit: إدارة الاختلاف (أو سبل التفاهم والعيش المشترك)
Autor: prof. dr. Abdulkerim Bekkar
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Mr. Vedat Shabani
Botues: Fakulteti i Studimeve Islame
Pak fjalë rreth përmbajtjes së librit:
Nuk ka dyshim se ekzistimi i mospajtimit apo diversitetit ndërmjet njerëzve në ide, ego, interesa dhe tradita përbën një lloj sprove ose një test për njerëzit, me qëllim që të dalë në shesh mirësia e vepërmirit dhe ligësia e keqbërësit. Së këndejmi themi se mospajtimi është nyja (komplekse) e sprovës në jetën tonë shoqërore, prandaj është me rëndësi që të ofrojmë idetë, botëkuptimet, direktivat dhe mekanizmat, të cilat do të na ndihmojnë për një pajtim dhe bashkëpunim që na shpie drejt bashkëjetesës, me gjithë ekzistimin e polarizimeve dhe divergjencave në mes nesh. Ky në fakt është edhe vetë qëllimi në të cilin është fokusuar ky libër.
Mospajtimi mes njerëzve në nivele të ndryshme është një ligj hyjnor i përcaktuar si i tillë deri në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, përpjekjet për eliminimin e mospajtimeve në realitet janë angazhim që bie ndesh me ligjin hyjnor të vendosur nga Krijuesi Suprem. Në të njëjtën kohë ky është një angazhim jo i pëlqyeshëm sepse një angazhim i tillë do të na shtyjë deri te problemi i konformitetit (unifikimit absolut) dhe pasojat negative që sjell kjo pikëpamje në jetën tonë individuale dhe shoqërore.