Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës sot më datë 09.10.2012 me një ceremoni solemne filloi vitin akademik 2012/2013
{jathumbnail}Në këtë ceremoni rasti ishin të pranishëm myftiu i Kosovës, mr. Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtor, profesorët e FSI-së si dhe studentët.
Në emër të FSI-së dekani, prof. dr. Qazimi Qazimi iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Të nderuar miq! Ky vit akademik për të gjithë ne; studentë e pedagogë, por edhe për stafin teknik në Fakultetin e Studimeve Islame është paksa më i veçantë dhe dallon për shumëçka nga vitet e mëparshme. Do theksuar se për herë të parë pas njëzet vjet pune, në këtë vit akademik po nisim punën si një Fakultet i akredituar. Në fakt, Fakulteti jonë më datë 06. 07. 2012 është akredituar për tri vjet. Kjo është puna dhe arritja më e madhe që është bërë gjatë kësaj vere, por hiç më pak e vlefshme për nga pesha dhe rëndësia që ka, nuk mbetët as çështja e inkorporimit të Fakultetit të Studimeve Islame si njësi e veçantë në kuadër të Universitetit publik të Prishtinës.
Realiteti është se më 28. 09. 2012, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës mori vendim për inkorporimin e Fakultetit të Studimeve Islame si Fakulteti i 18-të, radhë në kuadër të Universitetit publik të Prishtinës. Kam bindjen se ky vit akademik do të jetë i suksesshëm dhe garancë për këtë do të jetë stafi akademik i përbërë prej 13 doktorë shkencash, gjashtë magjistrave, dy asistentëve, një lektori , infrastruktura moderne që ka Fakulteti si dhe përkrahjen që kemi nga Kryesia e Bashkësisë Islame. Edhe njëherë urime dhe mbarësi në vitin e ri akademik dhe suksese të reja.”
Të pranishmëve gjithashtu me një fjalë përshëndetëse dhe urimi për këtë vit akademik iu drejtua edhe myftiu i Kosovës mr. Naim ef. Tërnava i cili ndër të tjera porositi studentët që të japin maksimumin e tyre për të arritur sa më shumë njohuri.
Krejt në fund u bë shpërndarja e indeksave nga ana e dekanit të FSI-së për studentët e rinj të regjistruar në këtë vit akademik, dhe më pas u vazhdua me një koktej rasti në sallën e ekspozitave e cila ishte përgatitur nga stafi teknik i FSI-së, që studentët e ri të kenë rast sa më të volitshëm të njoftimit me studentët e tjerë.