Prishtinë, 27 Janar 2025
Sot, më datë 27. 01. 2025, studenti Bashkim Spahiu mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “DIALOGU NDËRFETAR NË NDËRTIMIN E URAVE TË MIRËKUPTIMIT DHE TOLERANCËS – RAST STUDIMI PRIZRENI”, pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Komisioni ishte i përbërë nga:
- Prof. ass. dr. Zija Abdullahu, kryetar
- Prof. asoc. dr. Sadik Mehmeti, anëtar
- Prof. ass. dr. Rexhep Suma, mentor
Fillimisht fjala iu dha kandidatit Bashkim Spahiu, i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në pika të shkurtëra dhe koncize. Ai në punimin e tij kishte për synim të paraqest një pasqyrë mbi dialogun dhe tolerancën fetare në përgjithësi në Kosovë, me theks të veçantë në Prizren, duke konkluduar që dialogu ndërfetar eliminon urrejtjen dhe shton humanitetin dhe dashurinë, që janë nga misionet parësore të secilit njeri në këtë botë.
Punimi ishte ndarë në 4 kapituj. Kapitulli i parë është më gjithëpërfshirës dhe flet rreth dialogut ndërfetar dhe kornizave të tij, duke përfshirë përkufizimin kuranor dhe shkencor, nevojën për dialog etj. Në kapitullin e dytë flitet më në detaje rreth dialogut ndërfetar dhe polemikës në Islam. Vazhdon në kapitullin e tretë, sqaron detajisht, dialogun ndërfetar, ndëretnik, ndërkulturor dhe multiplural në Prizren, si dhe flet për urat e bashkëjetesës në mes tyre. Ndërsa, kapitulli i fundit, përmban hulumtimet empirike dhe intervistat e krerëve të bashkësive fetare të cilët jetojnë në Prizren. Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e bërë, dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.





