Prishtinë, 29 Janar 2025
Më datë 28. 01. 2025, studenti Rejhan Islami mbrojti temën e diplomës në Nivelin Master me titull “TRAJTIMI I PROBLEMEVE BASHKËKOHORE SOCIALE NGA KËNDVËSHTRIMI ISLAM”, pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.
Komisioni ishte i përbërë nga:
1. Prof. ass. dr. Lulzim Esati, kryetar
2. Prof. ass. dr. Rexhep Suma, anëtar
3. Prof. dr. Fahrush Rexhepi, mentor
Fillimisht fjala iu dha kandidatit Rejhan Islami i cili bëri paraqitjen e ekspozesë së masterit në pika të shkurta, duke i shfaqur ato me sllajde dhe duke bërë elaborimin e temës në pika të shkurtëra dhe koncize. Ai në punimin e tij kishte për synim të bëjë një studim krahasimtar se si mësimet e fesë islame janë zgjidhja më e mirë për të qetësuar e udhëzuar drejtë shoqërinë njerëzore.
Punimi ishte ndarë në 4 kapituj. Kapitulli i parë merret me problemet sociale me karakter shoqëror, ku përmban sqarime për beqarinë e shtyrë dhe format e tjera të lidhjeve siç janë bashkëjetesa, dukuria e lëneshave, si dhe shkurorëzimi dhe përkujdesja ndaj fëmijëve. Në kapitullin e dytë flitet për problemet sociale me karakter ekonomik, ku trajton tematikën rreth papunësisë dhe varfërisë si fenomene të ngritura. Vazhdon në kapitullin e tretë, dhe sqaron detajisht, për problemet sociale me karakter kulturor, ku sqaron tematika lidhur me diskriminimin në baza fetare e racore, bullizmin, nënçmimet ndaj individëve të caktuar etj.. Ndërsa, kapitulli i fundit, përmban problemet sociale me karakter psikik, ku si pasojë e largimit nga mësimet e Islamit, njeriu mund të bie në pesimizëm e depresion, si dhe të vie deri tek vetëvrasja.
Pas përfundimit të elaboratit nga ana e kandidatit, komisioni dhanë disa sugjerime e përgëzime për temën dhe punën e bërë, dhe i bënë disa pyetje, dhe në fund e vlerësoi me vlerësim të shkëlqyer.




