Prishtinë, 20.05.2025

Sot, më datë 20.05.2025, në ambientet e FSI-së u mbajt ligjërata kushtuar figurës së Adem DEMAÇIT. Ligjërata u organizua nga dekanati i Fakultetit, ndërsa ligjërues ishte z. Selatin Novosella, bashkëpunëtor i afërt i të ndjerit z. Adem Demaçi.

Prezent në këtë ligjëratë përveç stafit akademik dhe studentëve të FSI-së ishte edhe myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtor.

z. Novosella gjatë ligjërimit të tij foli për figurën shumëdimensionale të z. Adem Demaçit, e me theks të veçant ai u fokusua rreth tre gjykimeve të Adem Demaçit. Gjatë ligjërimit për këto gjykime ai potencoi edhe fjalën e vet Adem Demaçit i cili për këtë periudhë kishte thënë: “Unë në burgjet e mia, gjatë 28 vjetëve, gjeta lirinë time të vërtetë, gjeta kuptimin e jetës sime, gjeta kënaqësinë time, gjeta lumturinë time dhe gjeta krejt pasurinë e botës”.

Pas përfundimit të ligjëratës kishte edhe pyetje të ndryshme, kryesisht rreth figurës së Adem Demaçit.

Në shenjë mirënjohje për këtë ligjëratë dekanati i FSI-së kishte përgatitur një mirënjohje për ligjëruesin e kësaj teme, z. Selatin Novosella, të cilën ia dha myftiu, Naim ef. Tërnava.

Krejt në fund, dekani i FSI-së, prof. asoc. Dr. Islam Hasani, në pika të shkurtëra prezantoi dhe bëri një njoftim rreth programit studimor të nivelit PhD-doktoratë, të cilin FSI do ta ofroj në bashkëpunim me “Centre for Advanced Studies on Islam, Science, and Civilization (CASIS)” me seli në Kualalampur të Malejzisë.