Prishtinë, 05.10.2020

 

Mbahet konferenca ndërkombëtare “Mësimi përgjatë jetës në epokën digjitale”

 

 

Nën organizimin e “Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam”, në bashkëpunim me “Qendrën për Studime të Avancuara”, me seli në Sarajevë, “Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit”, me seli në Tiranë, me Institutin “Horizonti” me seli në Podgoricë, “Institutin Kanadez për Teknologji” dhe “Universitetin e Vlorës”, në Vlorë, më 3 dhe 4 tetor 2020, u mbajt konferenca ndërkombëtare “Mësimi përgjatë jetës në epokën digjitale”.

Me një shtrirje të gjerë, Konferenca mblodhi së bashku studiues nga fusha të ndryshme shkencore, institucione kërkimore-shkencore, universitete publike e private, njohës të arsimit, institucione të bashkësive fetare islame, pedagogë e predikues.

Temat e trajtuara nga referuesit në Konferencë ofruan informacione dhe njohuri të rëndësishme të cilat nxisin zhvillimin e mësimit përgjatë gjithë jetës, si një mënyrë për t’u bërë ballë ndryshimeve dhe sfidave të vazhdueshme të epokës digjitale, si dhe mënyrat e shfrytëzimit më të mirë të potencialeve të teknologjisë digjitale në mësimin përgjatë jetës, duke vënë theksin veçanërisht në arsimimin islam në distancë.

Qëllimi i organizatorëve të Konferencës është zgjerimi i fushës së diskutimeve, analizave, hulumtimeve dhe shkëmbimit të praktikave të mira, bazuar në përvojat e fushës së teknologjisë informative në rajonin tonë e më gjerë.

Në këtë Konferencë mjaft frytdhënëse, morën pjesë 25 prezantues nga Shqipëria, Bosnja, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Nga Fakulteti i Studimeve Islame pjesëmarrës në këtë Konferencë ishin dekani i FSI-së, prof. asoc dr. Fahrush Rexhepi dhe sekretari, mr. Vedat Shabani, ndërsa përmes paraqitjes online mori pjesë edhe mr. Muzaqete Kosumi.