Sot, më datë 27.02.2025, për herë të parë u bë takimi i studentëve të diplomuar Alumni, takim ky që pritet të mbahet çdo vit, ku përmes rrjetit të Alumni-t, fakulteti synon të marrë feedback dhe të dhëna të rëndësishme për të përmirësuar planifikimin strategjik, zhvillimin e programeve akademike dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
Ky takim ishte një hap për të forcuar lidhjet, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar ura bashkëpunimi mes studentëve aktualë dhe atyre që tashmë kanë nisur karrierat e tyre, sepse një nga prioritetet kryesore të Fakultetit të Studimeve Islame (FSI) është mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me studentët e diplomuar.
Përvojat e ish-studentëve janë një burim i vlefshëm i njohurive që ndihmojnë institucionin të përshtatet dhe të evoluojë sipas nevojave në ndryshim të studentëve.
Këtë takim e begatoi edhe prezenca dhe fjala përshëndetëse e Myftiut, Naim ef.Tërnava, i cili në paraqitjen e tij para të pranishmëve përmendi ecurinë e themelimit të FSI-së që nga hapja e tij, dhe njëherit përgëzoi të gjithë themeluesit, dekanët, profesorët dhe studentët për punën që kanë bërë dhe që vazhdojnë ta bëjnë edhe tutje.
Të pranishmëve iu drejtua edhe dekani, prof. asoc. dr. Islam Hasani, i cili i falenderoi për ardhjen dhe tregoi rëndësinë e këtij takim, duke përmendur rëndësinë e burimeve njerëzore që çdo institucion duhet dhe e ka për qëllim, dhe njëherit i njoftoi për të rejat e FSI-së, siç është marrëveshja për PhD e përbashkët me universtitetin e Malejzisë, poashtu i njoftoi që ky takim do të jetë tani e tutje çdo vit duke e zgjeruar bashkëpunimin edhe më tutje me ish-studentët tanë.
Sëkëndejmi, kërkojmë nga të gjithë ata që ishin prezent dhe ata që nuk kishin mundësinë të ishin sot me ne, që ta plotësojnë pyetësorin i cili vlen vetëm për studentët e diplomuar-Alumni mbi punësimin dhe pozicionin e tyre profesional.
Studentët të cilët ende nuk e kanë plotësuar, ju inkurajojmë ta plotësoni formularin në vijim: https://forms.gle/MCMFC31vFJs8hzVG9
















